CNN: Agjentët rusë përmes Pejxh deshën të arrijnë te Trump

22.04.2017 17:18:17

Agjentët rusë tentuan të ndikojnë në kampanjën presidenciale të Donald Trump vitin e kaluar përmes bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, transmeton CNN.

Në mesin e këtyre bashkëpunëtorëve është ish-këshilltari për politikë të jashtme Karter Pejxh.

Sipas CNN, në lidhje me këtë ishte debatuar edhe në një takim të FBI-së vitin e kaluar, kur kishin nisur hetimet për verifikimin e ekzistimit të “koordinimit” ndërmjet bashkëpunëtorëve të afërt të presidentit të tanishëm dhe zyrtarëve rusë gjatë kampanjës së vitit 2016.

Nuk është e qartë nëse Pejxh ishte në dijeni se rusët donin ta shfrytëzonin, kanë thënë zyrtarë të paemëruar amerikanë për CNN.

FBI ka përcjellë Pejxh vitin e kaluar për shkak të lidhjeve të tija të mundshme me Rusinë dhe ishte pjesë e hetimeve të përpjekjeve për ndikimin rus mbi zgjedhjet amerikane.

Pejxh ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat, duke i quajtur si “shaka”.

Bashkëpunëtorët tjerë të Trump kanë pasur disa kontakte me zyrtarët rusë, gjë e cila ka shkaktuar dyshimin e shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe evropiane mbi ndikimin e Rusisë në rrjedhën e zgjedhjeve amerikane, shkruan CNN.