Coutinho: Ju zbuloj pse hodha firmën me Liverpool-in

30.01.2017 15:16:22

Philippe Coutinho ka rrëfyer se arsyeja kryesore që e mban atë në Liverpool është prania e trajnerit Jürgen Klopp. Braziliani zgjati kontratën e tij në “Anfield” në ditën kur “Të kuqtë” u skualifikuan nga EFL Cup, të mposhtur nga Southampton në gjysmëfinale. Ky rezultat zhgënjyes u shoqërua me një tjetër skualifikim në fundjavë, kur skuadra nga Championship, Wolverhampton Wanderers, mposhti djemtë e Klopp-it në fazën e katërt të FA Cup-it. Sikur të mos mjaftonin këto, Liverpool së fundmi ka lënë pikë në Premier League, duke rënë në vendin e katërt.

Gjithsesi, Coutinho mendon se klubi po ecën në drejtimin e duhur dhe se Klopp është njeriu ideal për të udhëhequr ekipin. “Unë firmosa kontratën e re dhe dhashë një mesazh. Jam i lumtur për këtë. Firma nuk hidhet për një javë, sado e keqe qoftë ajo, por për të ardhmen me këtë skuadër”, – tha mesfushori ofensiv për sajtin e klubit. “Klubi është shumë ambicioz, lojtarët dhe trajneri janë të gjithë të motivuar. Sigurisht që besojmë se mund të fitojmë tituj me këtë trajner, kemi besim se kjo do të ndodhë. Firmosa, sepse ky trajner është fitues dhe të gjithë besojnë tek ai”, – shtoi 24-vjeçari.