Coutinho rinovon për 5 vite. Më i paguari te Liverpooli

25.01.2017 13:31:27

Braziliani i Liverpoolit, Philippe Coutinho ka nënshkruar një kontratë të re 5-vjeçare, me një vlerë prej afro 150 mijë paund në javë, duke e bërë atë lojtarin më të paguar në klubin anglez.

24-vjeçari i “Seleçao”-s iu bashkua “të kuqve” nga Interi në janar të vitit 2014 për një shumë prej 8.5 milionë paund, ndërkohë që tashmë do të qëndrojë në “Anfield Road” deri në vitin 2022. Deri më tani, Coutinho ka shënuar 34 gola në 163 ndeshje të luajtura me Liverpool.

“Ky është një klub ndaj të cilit jam mirënjohës dhe ku ndihem i lumtur”, tha ai për faqen zyrtare të ekipit në internet. Nga sa mësohet, në kontratën e re të Coutinhos nuk ka një klauzolë për prishjen e parakohshme të saj, ndërsa do të hyjë në fuqi nga 1 korriku i këtij viti.

Coutinho është përfolur mbi një lëvizje të mundshme te kampionët e Spanjës, Barcelona, por vet ai i mohon këto zëra. “Kam nënshkruar këtë kontratë për të qëndruar këtu edhe për shumë vite të tjera, pasi ky është një nder i madh për mua. Këtu jam pritur me krahët hapur nga kushdo, por edhe nga tifozët që nga dita ime e parë”.

Nënshkrimin e kontratës së re e ka përshëndetur edhe trajneri Jurgen Klopp, i cili thotë se vendimi jep një “mesazh të qartë” nga lojtari. “Është një lajm i mrekullueshëm. Ai është një lojtar klasi dhe e di mirë që mund t’i realizojë ëndrrat dhe ambiciet e tij këtu, me Liverpoolin”, tha Klopp, ekipi i të cilit renditet në vendin e 4-t të Premier League, 10 pikë më pak se Chelsea kryesues.