Covid-19/Boris Johnson paralajmëron valën e dytë epidemike në Europën kontinentale

28.07.2020 19:09:37

Kryeministri britanik Boris Johnson la të kuptohej se disa vende në Europën kontinentale mund të jenë duke përjetuar një valë të dytë të infeksioneve nga koronavirusi. Duke folur për Sky News, Johnson mbrojti vendimin e qeverisë së tij për të vendosur në karantinë dy javore të gjithë udhëtarët që kthehen nga Spanja në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tij, në disa rajone europiane, gjërat nuk duken mirë.

“Le të jemi plotësisht të qartë për atë që po ndodh në Europë, mes disa miqve tanë europianë. Kam frikë se ato që po shihni në disa vende janë shenjat e valës së dytë të epidemisë”, tha kreu i ekzekutivit britanik.

“Dhe ne të gjithë e mbajmë mend cfarë ndodhi herën e kaluar. Prandaj, është absolutisht e domosdoshme që të marrim në vendin tonë këto masa të cilat jemi duke i marrë”, shtoi ai.

Kryeministri Spanjoll Pedro Sánchez e kritikoi një ditë më parë vendimin britanik të izolimit dy javor. “Është më e sigurtë sot të jesh në disa resorta spanjolle sesa në Mbretërinë e Bashkuar, ” tha Sánchez, ndërsa Ministrja e tij e jashtme Arancha González foli edhe më hapur kur pohoi se “ shifrat e pandemisë në Spanjë janë shumë më të ulëta sesa ato epidemiologjike në Mbretërinë e Bashkuar”.

Johnson sakaq ka paralajmëruar se vende të tjera mund t’i shtohen listës britanike të karantinës. “Me sinjale të një vale të dytë në vende të tjera, detyra jonë është të veprojmë shpejt dhe me vëndosmëri për të ndaluar përhapjen e virusit”, u shpreh ai.