Çun Lajçi, patriotizmi nuk është gjithmonë strehë e maskarenjve

13.09.2017 11:19:07

Nga Rexhep Kastrati

Çun Lajçi iu paska drejtuar kuvendarëve të VV-së me një retorikë patriotike, madje edhe bukolike, në frymën e tij të dheut në plis dhe të çirrjeve nga skëterra që nuk po lë shqiptarët të çojnë krye dhe të marrin frymë lirisht.

Në një postim të tij në facebook, Çuni që edhe në pleqëri kujton se është djalë i ri që të këlthasë me zë të lartë, shkruan:

Ju miqtë e mi të VV 
Pse i pritet atë ditë deputetët serb me ardhë nga Beogradi, 
Pse nuk i lat histori Kosovës e Partisë suaj kur deklarohi për nji flamur e nji komb!
Pse nuk i sakrifikuet 20 vota që ta votoni Ramushin ( kur e dishi se ai po zgjedhet me vota minoritarësh )
Pse nuk i thatë n’foltore që ta merr vesh Kosova dhe Evropa:
Ne nuk të duam Ty as Pronton, por e duam Atdheun, dhe për hirë t’Kosovës nuk do t’i presim Ata që na dogjen e poqen, që t’bahen faktor e t’luajnë me Ushtrinë tonë, por Ne po të votojmë dhe prap do t’vazhdojmë të mbesim n’opozitë dhe prap kunder krimit e klaneve tueja mafioze.
Ju e patet rastin jetik ta fitoni popullin masovikisht dhe Komunën e Prishtinës me dekada.
Por nuk iu la inati e xhelozia.
Tani punoni për Ne jo për Ramushin, andaj mos bojkotoni e mos bllokoni se Ne jemi tue vuejt, jo Ju e Ata!

Pra, sipas Çunit, për inat të Serbisë do të duhej të votohej Ramushi, ani që vetë serbët thonë se Ramushi ka pasur marrëveshje parazgjedhore me listën “Srpska” për koalicion të tillë.

Mirëpo, Çuni asnjëherë nuk bëri thirrje që për inat të Serbisë të mos digjej Kosova;

që për inat të Serbisë të mos bllokoheshin institucionet;

që për inat të Serbisë të mos shkatërrohej prona shtetërore, publike dhe privare;

që për inat të Serbisë të mos sulmoheshin kuvendarët dhe zyrtarët e lartë të shtetit me vezë dhe me gaz lotsjellës mu në sallën e Kuvendit;

që për inat të Serbisë të mos digjej godina e Qeverisë;

që për inat të Serbisë të mos sulmohej familja e kryeministrit Mustafa me koktelë mollotove;

që për inat të Serbisë të mos shpoheshin gomat e veturave të zyrtarëve të Qeverisë;

që për inat të Serbisë të mos i bëheshin Kosovës një mijë të zeza që iu bënë:

Jo, Çuni nuk pat zë për të thënë:

për inat të Serbisë ta ruajmë stabilitetin e vendit;

për inat të Serbisë të mbështesim fort Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri Mustafa;

për inat të Serbisë të mbështesim Qeverinë në punën e saj qeverisëse dhe në realizimin e obligimeve ndërkombëtare.

Çuni nuk pat zë as për të bërë thirrje:

mos realizoni urdhëra të Serbisë për të rrëzuar Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Mustafa;

mos realizoni mocion ndaj Qeverisë bashkë me serbë dhe me të tjerë!

Përkundrazi, Çuni u bë pjesë e lojës, u bë pjesë e plojës dhe me retorikën e tij të dheut në plis dhe të prekjes së ndjenjave të qytetarëve, kontribuoi shumë që në Kosovë të krijohej një klimë për të rrëzuar Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Mustafa,  Qeverinë më të mirë të Kosovës, më të fuqishme, të pavarur dhe të pakushtëzuar nga Serbia dhe nga të tjerë. Çuni e shqeu gurmazin kundër kësaj Qeverie dhe kontribuoi që të vijë një Qeveri 41+ 20, pra një Qeveri që këmbë e krye është produkt i marrëveshjeve të fshehta me Beogradin, ashtu siç ishte edhe nisma për FSK-në, apo siç del edhe nga ato që thonë vetë serbët, se ka pasur marrëveshje parazgjedhore ndërmjet Ramushit dhe listës “Srpska”.

Çuni, i cili në vend se të kërkonte falje për çirrjet e tij patetike, bukolike e baritore, në përkrahje të atyre që që bashkërednoheshin me Serbinë, kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeminsitri Mustafa, dhe që kishin për qëllim të destabilizonin vendin dhe të sillnin në pushtet një Qeveri të varur tërësisht nga Serbia, vazhdon të çirret dhe të kërkojë dromca të patriotizmit te një sektë, e cila multietnicitetin, apo vëllazërim-bashkimin e ka sendërtuar edhe në listën e saj të kuvendarëve, edhe në fjalorin e saj politik, madje edhe në hapjen e portaleve edhe në gjuhën e Serbisë, dhe e cila është vetëm ana tjetër e të njëjtës strukturë kundërshqiptare, sikurse pjesa tjetër e saj që pret si Mesinë me dishepujt e tij, Rakiqin dhe kuvendarët tjerë serbë për të ndrtuar një Qeveri të faqes së zezë.

A thua Çuni nuk e ka ditur se VV nuk e ka votuar Qeverinë e Ramushit, jo se është ndryshe, por ngaqë qëllimi është që t’i luhet loja Kosovës në bazë të strategjisë: ngrit më këmbë një Qeveri të varur nga Serbia dhe godit në emër të patriotizmit nga ana e VV-së. Po ashtu, VV nuk ka votuar për Qeverinë e Ramushit, sepse tash është në pozitën rezervë, nëse dështon Ramushi, të zëvendësohet me Albinin. Pra, që pas Ramushit të vijë Albini dhe të vazhdojë t’ia luajë lojën dhe t’ia bëjë gjëmën Kosovës. Dhe krejt kjo për të mos lejuar që LDK të mund të drejtojë sërishmi Qeverinë.

Megjithatë, pas valës emocionale që ishte reflektim i zhvillimeve anarkiste dhe të dhunshme dhe të manipulimit maksimal me emocionet e qytetarëve, tashmë po bëhet gjithnjë e më e qartë se Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa ka rënë në bazë të një komploti të linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste me Serbinë dhe aleatët e saj, e jo për ato që thuheshin si pjesë e luftës speciale që ishte shumë agresive, shumë primitive dhe shumë e hapur.

Tashmë ka filluar të vihet re dhe të kuptohet se mbrapa retorikave patriotike janë fshehur dhe po fshihen maskarenj që nuk ia duan të mirën Kosovës as qytetarëve të saj! Dhe me këtë duket se koha kur mbrapa patriotzmit janë fshehur masakrenj, ka filluar të marrë fund, edhe pse sfidat do të jenë të shumta dhe të rënda.