“Cunamët ua solla unë”Vargje nga Dije Lohaj

22.01.2021 02:18:18
Për dheun e lindjes
Në vendin tim, kujtimet rrinë varur,
Si hardhitë e pakrasitura
Në pjergulla shtëpie.
Malet s’e zhveshin lehtë kurorën e lashtë,
Veshur prej shekujsh me njolla gjaku,
Të cilat ende mbajnë erë në degët e pemëve,
Në kangjellat e shtëpive, erën e barutit,
Në shamitë e zeza të nënave, vajin e bardhë,
Në muret e Drenicës, shenjat e plumbave.
Në vendin tim, trotuaret kanë hije trishtimi,
Njerëzit të përvuajtur ngjyejnë dhimbjen në sofër,
Skamja lëshohet hirshëm mbi buzët e jetimëve,
Burrat e të rinjtë marrin udhën e mërgimit,
Dhe harrohen, lëndohen në botën e qytetëruar,
Për një grusht mall, për dheun e lindjes.
Bulëza të vyshkura
Në melodinë shpresëthyer,
Ëndërroj bulëzat e vyshkura
Dhe puthjen në krahët e mbrëmjes…
Po deshe, më quaj mëkatare
E kundro përfytyrimin tim
Mes fjalëve të ngërthyera,
Do të ngjyros dëshirat e qullura për ty.
Nën tingujt e melodisë shpresëthyer,
Shtrihen notat për kohën e akullt,
Që zvarriten pas trenash, metropoleve,
Sipër qiellit përvëlues të fatit…
Dhe ti, nuk luan asnjë hap
Për të kapur kohën…
E për të dëgjuar melodinë.
Unë ta dëgjoj zërin që buçet në heshtje,
E kënga jote e turbullt do të tretet,
Si vesa e mëngjesit,
Në hajatin e modernizmit të akullt.
Fortifikatë
Asnjë ëndërr nuk m’u bë mburojë
Si kullat e tua,
Të mos lagem nëpër ditë me shi.
Gjeja strehë,
Mallin e mikloja aty,
Forcën e bëja për zemër,
Ku dashuria lindi me bollëk
Aty ku besnikëria mbetet fron,
Si gjuha e zotave të Ilirisë.
Asnjë ëndërr nuk m’u bë mburojë,
Si kullat e tua,
Edhe pse erdhi
Shurdhëria e lojës kukafshehthi,
Ne prapëseprapë
Qëndruam stoikë
Me përshëndetje amtare,
E flamuj valëvitës.
(Marrë nga vëllimi “Cunamët ua solla unë” Ferizaj 2013)