Daçiq, për dërgimin në Apel të padisë boshnjake për gjenocidin serb: Ka rrezik të destabilizohet rajoni

18.02.2017 19:44:46

Serbia e ka kritikuar vendimin e Bosnje Hercegovinës që ta dërgojë në apel vendimin e vitit 2007 të një gjykate të OKB-së që e kishte hedhur poshtë padinë boshnjake ndaj Serbisë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1992-995.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, i ka thënë sot televizionit shtetëror serb se vendimi është “shumë i rrezikshëm” dhe mund “të destabilizojë jo vetëm Bosnjën e Hercegovinën, por tërë rajonin”.

Bakir Izetbegoviq, pjesëtari boshnjak i Presidencës tripalëshe të Bosnjës, ka thënë dje se kërkesa boshnjake do të deponohet para se të skadojë afati 10-vjeçar për t’ia dorëzuar apelit kërkesën, më sakt[ para datës 26 shkurt.

Vendimi mund të nxisë krizë politike në Bosnje, pasi ligjvënësit serbë kanë thënë se do e bojkotojnë parlamentin boshnjak si protestë ndaj vendimit në fjalë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 e ka shfajësuar qeverinë në Beograd rreth përgjegjësisë për vrasjen, përdhunimin dhe spastrimin etnik në Bosnje gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e ’90-ta.

Në vendim megjithatë thuhej se Beogradi nuk ka arritur të parandalojë gjenocidin e kryer në masakrimin e vitit 1995 në Srebrenicë ku tetëmijë burra dhe djem janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës.