Daçiq tregon de facto pse desh u dogj Kosova më 2015-2016

14.06.2020 19:44:42

Nga Rexhep Kastrati

Në një intervistë për një televizion në Serbi, Daçiq ka thënë: “Ne punuam deri tek tërheqja e 18 pranimeve të Kosovës, ata tani nuk e kanë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara!”.

Edhe pse një fjali i zakonshme, kjo ka shpjeguar zhvillimet e dhunshme në Kosovë gjatë viteve 2015 – 2016, e që lidhen edhe me pranimin e Kosovës në UNESCO! Teza që kam shtruar në vazhdimësi është se pranimi i Kosovës në UNESCO në nëntor të vitit 2015 ishte një projekt për pranimin edhe në organizma të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë dhe në radhë të parë, në OKB!

Meqë është në fuqi Rezoluta 1244, Kosova nuk do të mund të pranohet në OKB nëpërmjet Këshillit të Sigurimit për shkak të vetos ruse dhe kineze, prandaj u provua që të shmangej kjo rrugë dhe të bëhet pranimi nëoërmjet Asamblesë Parlamentare të OKB-së, ku votimi bëhet me shumicë votash dhe ku nuk ka asnjë shtet të drejtë vetoje! Për të mos shkuar drejtpërdrejt në Asamblenë Parlamentare të OKB-së pa një test paraprak, u provua që fillimisht të provohej anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nëpërmjet Asamblesë së saj ku vendim-marrja është me shumicë votash! Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të hapte rrugën për anëtarësim në OKB, pasi që e njëjta shumicë shtetesh që do të votonte pro pranimit në UNESCO, do të votonte pastaj edhe pro votimit në OKB! Në këtë mënyrë do të bëhej edhe shfuqizimi automatik e Rezolutës 1244, si dhe do të pasonte edhe njohja automatike nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur!

Në këtë kontekst, imazhi i keq i krijuar me protestat e dhunshme, paqëndrueshmëria  politike, rreziku që Kosova të destabilizohet dhe të ketë edhe konfrontime ndëretnike, pra edhe rreziku që të cenohet ajo që quhet trashëgimi fetare serbe, kanë bërë që shumë shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të mos votojnë pro, të votojnë kundër, apo të abstenojnë!

Dështimi i pranimit në UNESCO nuk ishte vetëm dështim i një projekti, apo mënyre për shmangien e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rrëzimin automatik të Rezolutës 1244, por si pasojë edhe e këtij dështimi ishte edhe fuqizimi i procesit të ç’njohjes së Kosovës nga disa shtete që e kishin njohur!  Ky proces u nënvlerësua me logjikën se janë shtete të parëndësishme dhe që nuk çojnë peshë shumë! Në fakt, Serbia këtë proces e kishte jo se mund të rikthente procesin në zero, pra të anulonte njohjet si tërësi, apo shumicë absolute, por e kishte që të zhbënte shumicën në Asamblenë Parlamantare të OKB-së dhe përsëritjen e një procesi të pranimit në OKB duke anashkaluar Këshilin e Sigurimit dhe duke rrëzuar në mënyrë automatike Rezolutën 1244, dhe kështu të pamundësonte pengesat nga Serbia, Rusia e Kina, përkatësisht të pamundësonte që këto shtete të pengonin anëtarësimin e Kosovës në OKB pa marrëveshje me Serbinë!