Daçiq zotohet që serbia do ta sqaroj statusin e “qendrës ruse”

20.07.2017 23:11:57

Pas vizitës së Presidentit Vuçiq në Washington, ku marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë ishin në agjendë, ministri i jashtëm Ivica Daçiq tha se statusi i qendrës së diskutueshme ruse, stafi i të cilës kërkon të drejta diplomatike, së shpejti do të sqarohet.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha të enjten se Qeveria e Beogradit së shpejti do të vendosë nëse do t’i ofrojë status diplomatik stafit të Qendrës Humanitare Ruse në Nish, për të cilën amerikanët dyshojnë se mund të bëhet bazë spiunazhi.

“Nuk e kuptoj pse ata [SHBA] kundërshtojnë dhënien e imunitetit diplomatik ndaj humanitarëve rusë”, tha Daçiq, mbështetës i idesë, për të përditshmen serbe Vecernje Novosti.

Ai tha se çështja e statusit të qendrës ruse do të jetë në agjendën e qeverisë “së shpejti”. Ministrat do të konsultohen rreth çështjes me Presidentin  Aleksandar Vuçiq në ditët në vijim, sipas Veçernje Novostit.

Deklarata e Daçiqit vjen pak pas takimit të Presidentit Aleksandar Vuçiq me nënpresidentin amerikan Michael Pence në Washington më 17 qershor kur diskutuan me tjerash edhe marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë.

Përpara vizitës, kongresistja amerikane Eddie Bernice Johnson i shkroi një letër Pence-it, duke i kërkuar që të mos e takonte Vuçiq-in, duke përmendur qendrën ruse si një shembull të lidhjeve të ngushta të Beogradit me Moskën.

Udhëheqësja e Qendrës për Politikë të Jashtme, një këshilltare për probleme politike dhe ekonomike, Aleksandra Joksimoviq, tha për BIRN se Serbia do të duhet të zgjedhë me kujdes në mënyrë që të ruajë perceptimin te të tjerët si një vend neutral.

“Deri më tani, askush nuk ka ofruar një zgjidhje që do të ishte një kompromis midis dhënies së statusit diplomatik [stafit të qendrës] dhe mosdhënies së tij”, tha Joksimoviq.

Boban Stojanoviq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, tha se beson se Serbia është në koordinim me BE-në për këtë çështje.

“Ka ndoshta një lloj lëshimi që Serbia do të duhet të bëjë në këmbim të [dhënies së statusit diplomatik stafit të qendrës], ka shumë të ngjarë në lidhje me negociatat e mëtejshme me Kosovën”, tha Stojanoviq për BIRN.

Stojanoviq nuk mendon se marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë do të përkeqësohen në mënyrë dramatike nëse refuzohet kërkesa ruse për statusin diplomatik.

Rusia dëshiron që stafi i saj në qendër të Nishit të gëzojë të njëjtin status diplomatik që ka stafi i NATO-s në Serbi.

Ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Rodiq në vitin 2014 gjatë një vizite në ShBA, ka nënshkruar Marrëveshjen e Statusit të Forcave, SOFA, e cila i krijon privilegje personelit të huaj të pranishëm në një vend pritës në mbështetje të një marrëveshjeje më të madhe sigurie. Parlamenti i Serbisë e ratifikoi atë në vitin 2015.

Qendra ruso-serbe, e cila u hap në vitin 2012, thotë se është e përfshirë në sigurimin e “reagimit humanitar emergjent, parandalimit të fatkeqësive natyrore dhe aksidenteve teknologjike dhe eliminimit të pasojave të tyre”.

Megjithatë, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, i tha Senatit të SHBA-së më 15 qershor se qendra ishte një çështje shqetësuese për Departamentin e Shtetit.

“Jam i shqetësuar për të ashtuquajturën qendër humanitare, jo për shkak të asaj që është tani, por për shkak të asaj që mund të bëhet. Veçanërisht nëse Serbia përmbush atë që ka kërkuar Rusia: status të veçantë dhe imunitet për stafin e saj”, tha Yee.