Dalin pamjet e tmerrshme/ Ushtria duke transportuar kufomat në Itali

19.03.2020 11:32:03

Dhjetëra automjete ushtarake janë fotografuar duke transportuar kufomat e koronavirusit në Itali, ndërkohë që morgjet janë plot.

Kamionët u fotografuan duke lëvizur nëpër qytetin e Bergamos në rajonin e Lombardisë, një nga më të goditurat nga virusi.

Italia është vendi më i prekur nga koronavirusi pas Kinës, me 35 mijë të prekur dhe gati 3 mijë të vdekur. Në këtë situatë të rëndë në vendin fqinj, autoritetet italiane kanë publikuar të dhëna mbi viktimat e këtij virusi vdekjeprurës.

Deri të martën (17 mars), më shumë se 70 përqind e viktimave ishin burra, mosha mesatare e të cilëve është 79.5 vjeç. Ndërkohë, mosha mesatare e grave që kanë humbur jetën është më e lartë, 83.7 vjeç.

Nga mosha 40 vjeç deri në 50 vjeç kanë humbur jetën 17 persona, ndërsa 5 janë konfirmuar të vdekur nën 40 vjeç, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera të rënda.