Dalin para gjykatës të dyshuarit e Nice-s

22.07.2016 07:49:25

Pesë të dyshuarit nën akuzat për terror në lidhje me sulmin me kamion në Nice janë paraqitur para gjykatës në Francë, shkruan BBC.

Katër meshkujt dhe një grua, të moshave nga 22 deri në 40, janë të akuzuar që kanë ndihmuar shoferin Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, në planifikimin e sulmit.

Njëri nga të dyshuarit është rikthyer tek vendi i ngjarjes një ditë më pas, për të filmuar atë çka kishte ndodhur, ka deklaruar prokurori francez, Francois Molins.

Lahouaiej-Bouhle ka vrarë 84 persona kur është futur me kamion në mes të turmës në Nice.

Ai ka marrë ndihmë logjistike për këtë sulm nga pesë te dyshuarit, si dhe ka planifikuar këtë sulm për muaj të tërë, ka thënë prokurori Molins.

Tre nga të dyshuarit, Ramzi A, Mohamed Oualid G dhe Chokri C, janë akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasje nga një grup me lidhje terroriste.

Ndërsa shqiptari Artan dhe franko-shqiptarja Enkelejda, dyshohet se kanë dhënë armë Bouhlel-it, dhe janë të akuzohen që kanë thyer ligjin mbi armët në lidhje me një grup terrorist.

Pesë të dyshuarit janë nën arrest.