Dalja e AKR-së nga koalicioni me LDK dhe qëndrimi serb pro koalicionit me PAN-in

04.09.2017 16:41:41

Nga Rexhep Kastrati

Gjatë ditës së sotme ka ndodhur ajo që me gjasë mund të jetë vendosur më herët: dalja e AKR-së nga koalicioni me LDK-në. Me këtë rast, nuk është me rëndësi vetëm fakti se AKR iu bashkua PAN-it, por fakti se vendi mund të hyjë në një fazë të re dhe shumë të rrezikshme: krijimin e një Qeverie që do të varet nga votat e serbëve dhe të pakicave të tjera.

Në fakt, një Qeveri PAN-AKR-pakicat është afërsisht është përsëritje e Qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi gjatë viteve 2010-2014, e që ishte Qeveri PDK-AKR dhe AAK-në me pozitë duale, edhe në Qeveri, edhe në opozitë, dhe me pakicat. E reja është vetëm zyrtarizimi i përfshirjes së AAK-së në Qeveri dhe drejtimi i saj nga ajo. Dhe rrezikshmëria qëndron pikërisht në faktin se vendimet më të rënda dhe më të rrezkshme për vendin e që kanë reflektuar edhe në vendime të mëvonshme, janë marrë pikërisht gjatë asaj kohe.

Në anën tjetër, është për të vënë në vëmendje fakti se serbët janë treguar zemërgjerë dhe kanë mbështetur një Qeveri të koalicionit PAN-AKR, edhe pse edhe Qeveria e Serbisë, edhe serbët lokalë kanë bërë një propagandë shumë të fortë kundër Ramushit, duke e paraqitur rrezik për serbët.

Në fakt, mbështetja e një Qeverie me kryeministër Ramush Haradinajn, ka zhveshur plotësisht edhe aktin e gjoja arrestimit të tij nga gjykata në Colmar të Francës, edhe gjithë propagandën tjetër të bërë nga beogradi kundër tij. Është kështu për faktin se si është e mundur që Serbia të pajtohet që kryeministër i Kosovës të jetë dikush që sipas saj na qenkësh kriminel lufte dhe që duhet të jetë mbrapa grilave? Në këtë mënyrë, Serbia, rikonfirmon edhe një herë, pas rastit të Hashim Thaçit kur shprehej si për Ramushin, ra si për një kriminel lufte, por me të cilin ka zhvilluar dhe po zhvillon negociata të hapura dhe të fshehta.

Pozicioni i LDK-së si opozitë, mbetet shumë delikat, pasi që do të jetë opozitë e një Qeverie të udhëhequr nga Ramushi, dhe do të ketë paralel një VV, e cila do të mudohet të imponojë një sjellje opozitare si opozitë më e madhe, ashtu siç imponoi gjatë mandatit të kaluar.

Mbetet të shihet se a do të prodhojë stabilitet një Qeveri e drejtuar nga Ramush Haradinaj, dhe a do të ketë VV sjellje si gjatë mandatit të kaluar dhe a do të ketë përpjekje për ta përfshirë edhe LDK-në në sjellje të tilla.