Danaj: Maqedonia stabilizohet, vetëm kur të ndahet

21.08.2016 14:39:16

Politikologu dhe ideatori i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj thotë se Maqedonia nuk do të ekzistojë nëse shqiptarët nuk janë të barabartë në këtë shtet.

“Duket që bashkësia ndërkombëtare nuk di se ç’do bëjë me këtë shtet. Sepse në këtë Maqedoni ka vdekur ajo që e shpëtoi në 2001-in. Ka vdekur marrëveshja e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit ishte kompromisi më i madh që bënë shqiptarët, edhe nën ndikimin e trysnisë së ndërkombëtarëve, për të shpëtuar Maqedoninë. Ndërkaq, shovinizmi maqedonas këtë marrëveshje e cilësoi të dyshimtë, e ka hedhur poshtë. Kjo Maqedoni nuk mund të ekzistojë dot më, kështu siç është. Qeveria e Gruevskit nuk pranon t’i konsiderojë shqiptarët të barabartë”, shprehet Danaj.

Ai mendon se Maqedonia do të stabilizohet kur shqiptarët të shkëputen e të bashkohen me Shqipërinë.

“Po, ka një rrugë tjetër, shumë të drejtë e të garantuar. Shqiptarët e kanë trungun e tyre. Shqiptarët e kanë vendin e tyre. Shqiptarët nuk janë pjesë e Maqedonisë Perëndimore, shqiptarët janë pjesë e Shqipërisë Lindore. Bullgaria nuk i njeh Maqedonisë identitetin, Greqia nuk i njeh emrin, Serbia nuk i njeh Kishën. Përjashto Shqipërinë, e cila gjithmonë, me altruizëm politik, të neveritshëm, absurd, ia njohu të gjitha të drejtat Maqedonisë. Në këto kushte, ka vetëm një rrugë: Maqedonia stabilizohet, kur shqiptarët të shkëputen e të bashkohen me Shqipërinë”, thekson Danaj.