Dastid Pallaska mos rrej: Presidenti Rugova ka synuar bashkimin kombëtar, e jo krijimin e kombit kosovar!

13.10.2016 22:11:40

Nga Rexhep Kastrati

Dastid, duket se të dha zjarr pak ajo puna e amicus curae-s lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin dhe ke marr revan edhe për çështje të natyrës gjenetike, antropologjike dhe entopsikologjike, pra edhe të natyrës identitare. Dhe në këtë fushë ke ngecur keq dhe je treguar një injorant dhe një manipulator tipik.

Për të mos lënë të presësh përgjigjen se përse po e them këtë, po të them se presidenti Rugova nuk ka krijuar kurrëfarë identiteti kombëtar tjetër, pos atij shqiptar. Edhe me simbolikën shtetërore, prsidenti Rugova ka dëshmuar një identitet kombëtar: identitetin shqiptar. Mjafton të shihet flamuri që ka sfondin e flamurit të BE-së, e brenda rrethit ka flamurin kombëtar shqiptar. Ndërlidhja me Dardaninë nuk ka të bëjë me identitetin kombëtar, por identitetin territorial dhe institucional, si kundërvënie mashtrimreve dhe rrenave të historiografisë serbe për Kosovën si djep i kombit serb.

I pyetur për çështjen e bashkimit kombëtar, por edhe rreth shfaqjes së pikëpamjeve se shqiptarët andej dhe këndej kufirit kanë dy ideologji, pra dy identitete, presidenti i ka dhënë një përgjigje të gjatë. Lidhur me çështjen e dy ideologjive apo dy identiteteve, presidenti Rugova kishte thënë qartë: “edhe pse na është thënë se në të dy anët e kufirit, kemi edhe pikepamje te kunderta ideologjike, por, këto ishin vetem shpifje e gënjeshtra qe iu doli boja, sepse nuk është e mundur që një popull të kete dy ideologji”.

Filozofia politike e presidentit Rugova në asnjë rast nuk i ka parë shqiptarët e Kosovës me identitet kosovar, por gjithnjë me idenitet shqiptar.

Vetë presidenti Rugova gjithmonë kur ka folur për pavarësinë e Kosovës, ka folur si për një zgjidhje optimale, dhe si zgjidhje kompromisi. Edhe në dëshminë kundër Milosheviqit në Hagë, presidenti Rugova ka mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, por ka thënë se qëndrimi zyrtar është Kosova e pavarur.

Edhe platforma shqiptare e vitit 1990, e kishte konceptuar zgjidhjen përfundimtare bashkimin kombëtar. Sipas kësaj platforme, zgjidhja përfundimtare ishte bashkimi kombëtar i shqiptarëve, i cili do të vinte gradualisht dhe me ndryshimin e kufijve të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.

Në fakt, presidenti Rugova ka qenë një vizionar i madh, pasi që ka parashikuar të gjitha fazat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, i cili porces është duke vazhduar, dhe do të përmbyllet pas rishikimit të kufjve të shteteve të dala nga ish-shteti federal.

Faza në të cilën kemi hyrë është pikërisht faza kur pritet që të ndryshohen kufijtë e disa shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, hapin e parë të të cilit e bëri Republika Srpska më 25 shtator me referendumin për caktimin e ditës së shtetësisë së saj.

Dhe kur kemi hyrë në këtë fazë shumë të ndjeshme, kur rruga e bashkimit kombëtar ka filluar të hapet, dalin idiotë dhe injorantë që shpikin identitete të reja kombëtare.