David McAllister: raportet mes Prishtinës dhe Beogradit, komplekse

25.08.2017 17:17:51

Kryetai i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, deklaroi se në tre vitet e punës së tij, në cilësinë e raportuesit për Serbinë në PE, ka mësuar se marrëdhëniet mes Prishtinës e Beogradit janë tejet të ndërlikuara dhe që dialogu mes këtyre dy vendeve është tejet i rëndësishëm.

McAllister, në kuadër të vizitës së tij dy ditore, deklaroi se Brukseli dëshiron të mbështesë përparimin e dialogut, në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet e këtyre dy vendeve, njofton REL.

Tutje, McAllister theksoi se kupton dëshirën e Kosovës që të jetë anëtare e UNESCO-s dhe e Interpolit, sikundër që kupton edhe disponimin e kundërt të palës serbe.

“Këtë zhagitje Kosova e Serbia, sipas mendimit tim, mund të zgjidhin vetëm me dialog të vazhdueshëm”, theksoi ndër të tjera McAllister, transmeton RTK.

Ndërkaq lidhur me kohëzgjatjen e dialogut mes të dy vendeve, McAllister, theksoi se “nuk mund të përcaktohet sakt, por që duhet kohë, kjo dihet mirëfilli”.

McAllister theksoi ta ketë kuptuar idenë e Vuçiqit që në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën të përfshijë të gjithë spektrin shoqëror në Serbi.

Ndërsa lidhur me takimin e djeshëm me disa liderë të opozitës serbe, McAllister deklaroi se me kujdes kam dëgjuar mendimet kritike mbi iniciativën e Vuçiqit për dialogun për Kosovën.

“Nga ana tjetër, pavarësisht se a merr pjesë në dialog opozita serbe apo jo, Kosova kuptoj që mbetet një nga çështjet e politikës serbe, por më lejoni t’ju them që Serbia ka edhe shumë çështje tjera tejet të rëndësishme”, theksoi ai.