De Biasi: Shqipëria mund të luante edhe më mirë

07.10.2016 00:33:12

Pavarësisht se kombëtarja shqiptare mori 3 pikë, trajneri, De Biasi nuk është treguar shumë i ekzaltuar. Ai tha se ekipi luajti mirë, por mund të luante edhe më mirë.

“Është një ndeshje që luajtëm mirë, por mund të luanim edhe më me shumë kualitet. Morëm një rezultat që na jep besim në të ardhmen dhe që nuk është i lehtë të merret.  Luajtëm ndryshe këtë herë, ashtu siç edhe kemi bërë kohët e fundit.  Por me vjen mirë që bëmë gol dhe sidomos Balaj, që kishte nevojë të vazhdonte në ritmin e ndeshjeve të mira që ka bërë kohët e fundit.  Kjo për mua është një kënaqësi e madhe”, tha De Biasi.

Hyka, që shënoi edhe golin e parë, u cilësua sonte nga UEFA si lojtari më i mirë i skuadrës. Një gjë e tillë  i ka pëlqyer edhe trajnerit të kombëtares sonë.   “Ishte një ndeshje e bukur dhe Hyka gjeti rrugën për fitoren dhe më vjen mirë që e njohën edhe ekspertët UEFA-s si një nga lojtarët e mbrëmjes”, tha ai.

Në lidhje me ndeshjen e së dielës, ku Shqipëria do të luajë me Spanjën, De Biasi nuk ka preferuar që të shprehet.  “Për Spanjën do të flasim nesër. Duhet të shohim gjendjen shëndetësore të lojtarëve , por besoj se janë në rregull”, tha ai.