De Gea refuzon Realin, rinovon me Man. United

14.01.2017 14:21:15

Reali i Madridit duhet t’i thotë lamtumirë David De Geas. Portieri i kombëtares, i cili është objektivi kryesor i Los Blancos në merkaton e verës së ardhshme, ka fare pak shanse që të largohet nga Manchester United. De Gea pëlqehet jashtëzakonisht nga drejtuesit e klubit merengues, të cilët bënë gjithcka për ta afruar në skuadrën e tyre ish-gardianin e Atleticos së Madridit në verën e vitit 2015-të, por nuk ia arritën qëllimit, pasi transferimi dështoi vetëm në momentet e fundit.

Por që nga ajo periudhë kanë kaluar shumë kohë dhe tashmë me marrjen e drejtimit të Djajve të Kuq nga ana e Jose Mourinhos, 26-vjecari iberik është shumë i lumtur në Old Trafford. Duke iu referuar lajmeve që vinë nga Anglia, De Gea do të rinovojë kontratën aktuale me Manchester United deri në 30 Qershor të vitit 2021 dhe nga marrëveshja e re portieri spanjoll do të përfitojë një pagë dukshëm më të lartë prej rreth 200 mijë Stërlinash në javë duke u shndërruar kështu në një prej lojtarëve më të paguar te klubi më i titulluar në Angli. Kontrata, të cilën e rinovoi përpara 15 muajsh me Manchester United, De Geas i skadon në verën e vitit 2019, por lojtari tashmë nuk është më i tunduar nga interesimi i Realit pasi te Red Devils ka gjithcka që dëshiron. Me kërkesë të trajnerit Jose Mourinho, i cili beson shumë te aftësitë e 26-vjecarit drejtuesit e United kanë nisur nga puna për të rinovuar zyrtarisht kontratën me De Gean.