Debat, sharje e fyerje, për projektligjin për veteranët

30.12.2016 16:36:33

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ngjallë debat të ashpër në Kuvend. E nuk munguan as sharjet e fyerjet.

Fjalimi i Aida Dërgutit, ka ngjallë reagim të ashpër tek përfaqësuesit e shoqatave të veteranëve, të cilët ishin të pranishëm në Kuvend, gjatë kohës sa po debatohej ky projektligj.

Për disa minuta kanë vazhduar sharjet e fyerjet me deputetët që gjendeshin në seancë, me ç’rast Kuvendi u detyrua që të shkojë në një pauzë, derisa situatat të qetësohet pak. E reagimi i përfaqësuesve të Shoqatës së veteranëve erdhi pasi që Dërguti u tha se ata nuk po përfaqësojnë denjësisht veteranët, por interesat e tyre personale.

“Po e shoh që sot, zëri i përfaqësuesve të shoqatës së veteranëve të luftës, nuk i përfaqëson denjësisht ata që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, për shkak se pranon një kategorizim. Prit unë jam tu fol. Këta përfaqësues të shoqatave janë me siguri në kategorinë e parë, që i marrin 250 euro dhe nuk brengosen për tjerët që futen në kategorinë 120 euro. Uleni se unë po flas. Ju nuk i përfaqësoni. Prej mbrëmë kam marrë mesazhe, prej shokëve të luftës të cilët ndihen të diskriminuar me këtë kategorizim. Unë flas në emër të gjithë atyre shokëve që prej dje më kanë dërgu mesazhe të vazhdueshme me këtë diskriminim që bëhet me kategorizimin. Futen në kategorizimin prej 120 euro. Në këtë vend ka ardhë puna që veteranët e luftës presin lëmoshë prej 120 euro që t’ia ndaj shteti i Kosovës nga buxheti i saj. Është krejtësisht pakuptueshme pse futet viti 1991. Ulu aty , mos u thirr në emer të Adem Jasharit. Sa i merr ti a i merr 250 euro prej këtij projektligji, në cilën kategori je”, tha Dërguti.

E debati i ashpër, sharjet e fyerjet mes përfaqësueseve të shoqatës e Aida Dërgutit dhe disa deputetëve tjerë, kanë vazhduar për disa minuta. Ku pas kësaj përfaqësuesit e veteranëve, kanë dalë nga salla e Kuvendit ku mbahej seanca, e cila u detyrua t’i ndërpres punimet për shkak të tensioneve të shkaktuara. E nuk kanë munguar as ofendimet dhe fyerjet në adresë të deputetes Dërguti, nga kryetari i Shoqatës së veteranëve.

“Mos bënë me gisht, se ta shti atë gisht në gojë“, tha Hysni Gucati.

Por në fillim të seancës ishte ministri i Punës dhe Mirëqenies sociale, Arban Abrashi i cili prezantoi para deputetëve këtë Projektligj, i cili tha se me anë të këtij projektligji bëhet kategorizimi i pagave për veteranët.

“Qëllimi kryesor i këtij ligji, është kategorizimi i veteranit luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas tri kategorive, sipas periudhave kohore përgjatë mobilizimit. Mobilizimi i parë nga viti 1991 deri në përfundimin e luftës. Kategoria e dytë mobilizimi nga marsi 98, deri në përfundim të luftës. Dhe kategoria e tretë, mobilizimi pas marsit të 99- tës deri në përfundim të luftës. Ky kategorizim synohet të bëhet sipas të dhënave dhe vet aplikacioneve, që janë bërë gjatë procesit të aplikimit për statusin e veteranit . Ligji gjithashtu përcakton dhe lartësinë e secilës kategori, lartësinë e pensioneve. Lartësia e pensionit të kategorisë së parë, të jetë 250 euro. Kategoria e dytë 170 dhe kategorisë së tretë 120 euro. Me këtë rast plotësohet dhe kushti kryesore, të cilat ne i kemi pasur nga FMN, që të jemi në kuad er të buxhetit prej 0.7 të Bruto produktit vendor, të bëhet kategorizimi sipas periudhave dhe se ky kategorizim të kryhet, deri me 31 mars të vitit 2017”, tha ai.

Meqenëse u vendos që ky Projektligj të miratohet me procedurë të shpejtuar, brenda ditës së sotme në lexim të parë dhe të dytë, pati shumë vërejtje prej deputetëve, të cilët pohuan se është e papranueshme që ligje kaq të rëndësishme të kalojnë me kaq shpejtësi. Por kryeministri i vendit Isa Mustafa tha se problemi i kësaj ngutie nuk është i tyre, por një gjë e tillë është kërkesë e FMN-së.

“Në fakt problemi i ngutisë për miratim të ligjit nuk është i yni. Por është kërkesë e FMN-së . Është kërkesë eksplicite që kjo çështje të mbyllet gjatë këtij viti . Bordi i FMN-së që do të mbahet me 4 ose 6 janar , mund të vendos që mos të jemi më në suaza të programit të FMN. Deri më tani kemi certifikuar rreth 46 mijë veteran të UÇK-së, që do të thotë për këtë ne për gjatë një viti do të kemi rreth 60 milion euro me ligjin ekzistues i cili kundërshtohet nga FMN. Në buxhetin që e kemi aprovuar para disa ditëve ne i kemi paraparë ti ndajmë 38 milion euro . Kjo shumë është në pajtueshmëri me FMN”, tha Mustafa.

E kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se ndihet i lumtur që po e mbyllin sesionin parlamentar me një vendimmarrje të përbashkët për ata që kontribuuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

“ Nga ligji aktual e reja është i cili ka qenë insistim që të ndihmohen veçanërisht bashkëluftëtarët, familjet e atyre që sot nuk i kemi gjallë. Për arsye se për ne që jemi gjallë, të gjithë mund t’i marrim përgjegjësitë dhe të punojmë më shumë. Për ata që nuk janë gjallë është një shumë modeste që do t’iu ndihmojë familjes së tyre, fëmijëve deri në 250 euro. Munden me qenë mbi 800 veta që nga 12 qershori e deri më tani kanë vdekur dhe nuk kanë përkujdesje të duhur institucionale. Në të njëjtën kohë së bashku me kryeministrin kemi insistuar që mos të krijojmë eliminimin e kësaj kategorie nga tregu i punës. Po e shohim nga mbramë dhe sot ka një reagim, i cili për mua në aspektin e logjikës ekonomike nuk po e di pse është reagim kaq i fortë i FMN-së që mos me iu leju veteranëve 50 përqindëshin e pagës së tyre, t’iu krijohet mundësisë së veteranëve që shumi ca e tyre me punu në sektorin privat”, tha Veseli.

Ndërkaq Rexhep Selimi tha se ky kategorizim i veteranëve është i padrejtë.

“Është i padrejtë kategorizimi i veteranëve në paga apo pensione. Cili prej veteranëve i ka pasur dy shpirta, tjetri tre, e tjetri një, që të kategorizohen sot në tri kategori. Kushdo që ka ardhur në luftë ka pasur një shpirt. E nëse doni t’i ndani në kategori është e lehtë. Ndani në ata që kanë ardhur për të vdekur në Kosovë dhe kanë qëndruar deri në ditën e fundit të luftës dhe ata që luftën ose pjesëmarrjen në luftë e kanë pasur si ‘part time’, herë kanë ardhur e herë kanë ikur, e përfundimi i luftës nuk i ka zënë në Kosovë“, tha ai.

E Daut Haradinaj tha se ky Ligj do të shtijë thika mes veteranëve

“Ky ligj edhe njëherë mbas satën herë, është ka shtin thika mes pjesëtareve të luftës. Po tenton edhe njëherë me i nda për të satën herë, që është e gabueshme. Besoj shumë që deputetët e LDK-së në asnjë variant nuk guxojnë me u pajtu me këtë ligj. Nëse pajtohen e kanë shumë gabim. E para kush është ajo UÇK e 91-tës. Kush dreqin janë ata. A bënë me dit nojkush, se kur kush UÇK në 91- tën. Nuk ka pasur UÇK në 91- tën…Keni me i shti thikat popullit mes vete, se kush është dezertor, se kush është pjesëmarrës, se kush është pjesëtar, se kush është veteran, dëshmor e martir. Ky është gabim. Në fund të fundit plumbi i armikut, nuk e ka vet askënd se a ke ardh në 91 tën, 98, a 99-tën. Me të njëjtin armik kemi pasur punë“, tha ai

Edhe Enver Hoti nga Nisma për Kosovën tha se ky Projektligj është i papranueshëm, pasi që tenton t’i përçaj veteranët.

“ Ne mendojmë dhe jemi të bindur, se ky projekligj është i papranueshëm për neve, sepse ne mënyrë jo të duhur dhe me metoda aspak të përshtatshme po tenton me i përqa veteranët e luftës, duke i kaarkterziuar në pagat e tyre të cilët e meritojnë“, tha ai.

E Selvije Halimi, deputete e PDK-së kërkoi që deputetët të heqin dorë nga benificionet që i gëzojnë, me qëllim që të ketë më shumë para për këtë kategori.

“Nëse vërtetë ne si popull dhe institucione, duam që kategorinë me të shenjtë të kërtij vendi që sakrifikuan por për fat të mirë mbeten gjallë dhe jetojnë, i kanë familjet e tyre, t’i shpërblejmë hajde derisa të ngritet buxheti i Kosovës dhe Bruto produkti vendor, të heqim dorë nga benificionet tona si zyrtarë të shtetit. Kemi mundësi me e bë këtë dhe jam shumë e bindur që deri në 10 milion në vit kursehen”, tha ajo

E nuk munguan as polemikat mes deputetit të VV-së Faton Topallit dhe Ismet Beqirit, i cili akuzuan njëri – tjetrin për lot krokodili.

“Dua të lidhem edhe më atë që tha Ismet beqiri që ne e kemi votu ligjin dhe ju jeni kanë kundër ndarjes. Në fakt edhe ne e kemi thënë që ligji nuk është i mirë, por ju dini cilët kanë qenë kundërshtaret tuaj atëherë, tani jeni hy në koalicion me ta, tani keni një shumicë parlamentare. Urdhnoni dhe bëni amandamentet dhe futni në ligj ato që ju mendoni që janë të drejta. E mos qani me lot krokodili sikur gjoja iu ka pengu opozita”, tha ai.

E nuk mungoi reagimi i Beqirit, i cili e quajti Topallin deputet me korrespodencë.

“Ai është deputet me korrespodencë, këtu e ka problemin ai. Del jashtë me korrespodencë. Vjen këtu prej Zvicrës dhe pikërisht ky është ai që na moralizon neve dhe derdh lot krokodili sepse ne jetojmë këtu dhe punojmë këtu. Unë jam shtetas i Kosovës dhe mburrem me këtë. Nuk i kam dy pasosha të vetmen punë e kam këtë, për dallim prej këtij patriotit me lot krokodili”, tha ai.

Ndërkaq deputeti Anton Çuni nga LDK tha se ky ligj ka disa mangësi dhe se këtë definim të dobët të veteranit luftëtar dhe me këtë ligj prapë i lihet hapësirë, për të përfituar edhe ata që nuk ishin luftëtar.

“Nëse një mësues apo arsimtar, do t’ia jepte për detyrë nxënësve, që me vizatim apo me përshkrim, me ndonjë hartim të pasqyrojë figurën e veteranit luftëtar, ata do ta paraqesin një luftëtar të veshur në uniformë. I armatosur dhe në aksion në mal, nën rrënoja dhe përballë një makinerie të fortë ushtarake. Nuk e di pse ne deputetët, e kemi aq problem që ta përkufizojmë saktë cka është veterani luftëtar. Jam më se i bindur që këta nxënës, nuk do ta paraqesin veteranin luftëtar me mikrofon në dorë, në ndonjë restorant, në ndonjë aheng. Në lidhje me kategoritë e veteranët. Unë i respektoj dhe admiroj gjithë luftëtarët në cilendo periudhë kohore. Dhe në cilin do vend. Por më duhet të kufizohem në lidhje me veteranët luftëtar të Betejës së Kosharës. Sipas këtij projektligji, një numër i konsiderueshëm i veteranëve luftëtar të Betejës së Koshares, do të jenë në kategorinë e tretë. Por e vërteta është se luftëtarët e kësaj beteje, nuk janë të kategorisë së tretë“, tha ai.

E Albin Kurti tha se ka dallime të mëdha mes veteranëve.

“Është fryrë numri i veteranëve dhe nuk ka qytetar që nuk e di këtë gjë. Por bindja ime është se ankesat e Qeverisë nuk janë të sinqerta, për fryrjen e numrit të veteranëve. Vet qeveria s’është e interesuar të spastrohet lista e veteranëve prej luftëtarëve të pasluftës, sepse jo pak prej tyre që tash janë në këto listat e fryra janë të shpërblyer me histori të rrejshme për dëgjueshmëri partiake ose janë miq të afërt të Qeverisë…Ka dallime të mëdha mes veteranëve dhe luftëtarëve. Ka luftëtarë që kanë bërë vetëvrasje prej skamjes. Ka luftëtarë që sot janë në skamje dhe janë shumë të varfër. Edhe ka aso që janë super të pasur, që s’din as ku me i fsheh paratë të cilat i kanë. Këto janë dallime shumë të mëdha. Në luftë kanë qenë njerëzit bashkë, por ajo është para 17 vjetëve. Dhe rrjedhimisht edhe interesat janë të ndryshme. Veç vëreni do veteranë e disa luftëtarë qofshin në polit ikë ose jashtë saj. Veç shikojani fotografinë viteve të 90- ta dhe sot. Një numër i konsiderueshëm i kanë ka 30 kg më shumë. 17 vjet janë shumë, gjithë respektin për kontributin, mirëpo populli jonë e ka fjalën e urtë fenomenale, 5 minuta para vdekjes mundesh me u korit. Kurrë nuk është vonë me u korit”, tha ai.

Seanca për të votuar projektligjin me ndryshime për veteranët e luftës pritet që të vazhdojë pasdite