Debati i vërtetë për demarkacionin, fillon nesër në mesditë

02.08.2016 15:53:40
Debati  i nesërm për demarkacionin pritet me vëmendje të madhe nga opinion publik. Për këtë arsye tashmë  është hartuare dhe agjenda e debatit të nesërm që do të jetë gjysmë zyrtar, raporton lajmi.net. Kjo për faktin se debati do të mbahet në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës.
Debati është thënë se do të jetë i karakterit tërësisht profesional dhe jo politik.

Lajmi.net ka siguruar agjendën e këtij debati i cili pritet të fillojë në orën 10:15 minuta, pasi nga ora 9:45 do të fillojë hyrja  dhe regjistrimi i të pranishmëve, raporton lajmi.net.

Sipas agjendës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri  Veseli, është parashikuar të flasë nga ora 10:15 deri në orën 10:25.

Pastaj për një orë do të jetë komisioni Shtetëror për Përcaktimin e Kufirit që me gjasë do të përfaqësohet nga Murat Meha, kryetar i komisionit që do të paraqesë të gjitha dokumentet përkatëse.

Për dhjetë minuta, nga ora 12:25 deri në orën 12:35, do të flasë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, raporton lajmi.net.

Nga ora 12:35, pritet të jetë pjesa më interesante e krejt këtij debati  pasi do të nisë edhe diskutimi i hapur nga ana e pjesëmarrësve.

Më pas edhe anëtarët e Komisionit do të jenë ata që do të përgjigjen në pyetjet e të pranishmëve.

Tashmë praninë në këtë debat e kanë konfirmuar ekspertë dhe zyrtarë të ndryshëm politik nga pozita e opozita.

Nga ana e tij, Kuvendi i Kosovës nëpërmjet njoftimit zyrtar deklaron se të mërkurën do të mbahet debati profesional-shkencor mes Komisionit shtetëror për Shënjimin e kufirit dhe Grupit të njohësve që kanë kërkuar debatin për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit, Kosovë – Mali i Zi.

Kuvendi ka njoftuar se debati do të jetë i hapur edhe për mediat dhe për televizionet që duan ta transmetojnë direkt këtë ngjarje.