“Debati për Demarkacionin s’do të jetë sa për sy e faqe”

22.07.2016 06:57:00

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se tryeza, e cila do të mbahet më 3 gusht në ambientet e Kuvendit të Kosovës në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi, nuk do të jetë sa për sy e faqe.

Në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”, Reçica ka thënë se, në mungesë të një debati parlamentar, të shoqëruar me argumente, çështja e përcaktimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi ka nxitur herë-herë përplasje në mes të pozitës dhe opozitës.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës është vendi i duhur për t’i ballafaquar argumentet dhe për ta qartësuar çështjen në fjalë si dhe për të nxjerrë përfundime në këtë temë.

“Jam i bindur se në momentin kur të ballafaqohen argumentet me rastin e mbajtjes së kësaj tryeze, në të cilën do të diskutohet çështja e demarkacionit me një përbërje të gjerë me deputetë dhe ekspertë të fushës përkatëse, e hapur edhe për organizata të ndryshme dhe për mediet, atëherë do të kemi një qartësim mbi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë Reçica.