Dëbimi i diplomatëve rusë nga SHBA, Moska premton hakmarrje

30.12.2016 15:47:36

Rusia premtoi se do të reagojë ashpër ndaj dëbimit të 35 diplomatëve të saj nga Uashingtoni, ndërsa vijon më tej përballja e hidhur për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Dimitri Peskov, zëdhënësi i Kremlinit tha se Rusia do të përgjigjet në mënyrë reciproke dhe i shkaktuar të njëjtat probleme SHBA, por shtoi se Moska nuk do të veprojë me nxitim, duke lënë të kuptohet se mund të presë inaugurimin e Trump.

“Këto vendime u morën nga presidenti Obama, ndërsa Trump do të bëhet kreu i shtetit pas tre javësh. Nuk ka dyshim, që në një mënyrë apo një tjetër, ky faktor do të merret në konsideratë”, deklaroi Peskov.

Rusia ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në zgjedhjet amerikane dhe i cilëson sanksionet veçse të pabazuara, thjesht një mënyrë e demokratëve për të justifikuar humbjen.

Reagimi rus erdhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli non-grata 35 diplomatë rusë nga Ambasada e Uashingtonit dhe i dha 72 orë kohë për t’u larguar nga SHBA.

Sanksione janë vendosur ndaj 9 entiteteve dhe individëve, përfshirë dy agjenci ruse të inteligjencës, GRU dhe FSB. SHBA gjithashtu do të mbyllë dy ndërtesa në Nju Jork dhe Meriland që përdoren nga inteligjenca ruse.