Dega e LDK-së në Prizren mbajti Konventën e Punës

19.09.2017 19:39:58

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, dega e LDK-së në Prizren mbajti një Kuvend Pune , në të cilin u bë paraqitja e Programit qeverisës në këtë komunë, e që ishte një mundësi për njohjen e orientimeve programore për katër vitet e ardhshme.

Në këtë tubim, që filloi në orën 17.00, me ekzekutimin e hymnit shtetëror dhe hymnit “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” ishte i pranishëm kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa, shefi i Grupit Kuvendor të LDK-së,  Avdullah Hoti, kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Hatim Baxhaku, kuvendarë, ish-kuvendarë, veprimtarë të shumtë dhe qytetarë.

Tubimin e hapi kryetari i degës, Haxhi Avdyli, kurse këtë tubim e përshëndeti edhe kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa.

Kryetari Mustafa shprehu mbështetjen për kandidatin Baxhaku, i cili, sipas tij është alternativa e parë, e dytë, e tretë, pasi që kandidatët tjerë janë të pakrahasueshëm me z. Baxhaku.

Paraqitjen e Programit e bëri kandidati për kryetar komune, Hatim Baxhaku. Ai paraqiti planifikimet për zhbillim ekonomik, urban, kulturor, të rinisë të sportit, për çështje sociale, për shëndetësë etj.

Programi i detajizuar do të paraqitet gjatë takimeve me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore.