Dega e Lidhja Demokratike të Kosovës në Shtime ka shënuar sot 27-vjetorin e themelimit.

08.04.2017 18:49:03

 

Në manifestimin e organizuar me këtë rast, ku ishin prezent qytetarë dhe aktivistë të shumtë të LDK-së, të pranishmit i përshëndeti kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa dhe kryetari i Degës së LDK-së në Shtime, Selim Shabani.

Kryetari Mustafa, në fjalën e tij tha se prania e madhe e qytetarëve dhe simpatizantëve tregon gjallërinë e Lidhjes Demokratike, përkushtimin dhe ecjen e saj nëpër gjenerata.
“Këtu kemi njerëz qe 27 vjet, aq sa është ky përvjetor i LDK-së, kanë qenë me LDK-në, i kanë qëndruar besnik LDK-së, vazhdojnë të jenë me LDK-në. Kemi të rinj dhe të reja, gra dhe burra që kanë dhënë një kontribut maksimal për LDK-në, për programin e saj, për veprën të cilën na e ka lënë trashëgimi Presidenti Rugova dhe ne kemi për obligim ta qojmë këtë përpara”, tha kryetari Mustafa, duke folur për kontributin e LDK-së dhe njerëzve të saj gjatë 27 viteve për krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Kryetari Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që Komuna e Shtimes të zhvillohet duke shprehur edhe angazhimin që LDK në Shtime ta merr përgjegjësinë për këtë Komunë ashtu si edhe për komunat tjera të Kosovës, duke respektuar vullnetin e qytetarëve dhe duke punuar me këtë vullnet të qytetarëve.
“Të dëshmojmë se jemi të gjithë të përkushtuar që Kosovën ta bëjmë më të fortë, shtetin e Kosovës ta bëjmë më të fuqishëm, ta afirmojmë në arenën evropiane dhe botërore, që të kapërcejmë rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian dhe të mos mbesim të izoluar ashtu siç akoma janë qytetarët tanë, që të kapërcejmë rrugën tonë të anëtarësimit në NATO dhe të jemi pjesë e NATO-s dhe të kapërcejmë sa më shpejtë rrugën tonë që të jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara. Ne kemi punë të madhe para nesh, kemi përgjegjësi të mëdha para nesh. Nuk kemi kohë të merremi me vetveten dhe të garojmë me vetveten. Ne jemi që të respektojmë të gjitha proceset demokratike, por jemi po ashtu që të respektojmë përgjegjësinë që i kemi marrë para qytetarëve për t’i përmbushur të gjithë premtimet dhe detyrimet që i kemi marrë përpara qytetarëve tanë”, tha kryetari i LDK-së.

Më tej, kryetari Mustafa shprehu vendosmërinë e plotë të Qeverisë së Kosovës për t’i quar proceset përpara, për t‘i përmbushur detyrat e saj dhe për të mos e lënë punën në gjysmë.

Kryeministri Mustafa theksoi kontributin e madh që ka dhënë kjo Qeveri sidomos sa i përket zhvillimit ekonomik, duke përmbushur të gjitha kriteret që BE i ka kërkuar prej Kosovës, duke nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, duke arritur rritjen më të madhe ekonomike që ka pasur ky vend dhe më të madhe se çdo shtet fqinjë, duke mos qenë Qeveri e korruptuar dhe pa asnjë skandal në Qeveri.

Kryetari Mustafa, tha po ashtu se tani po i paguajnë skandalet që kanë ndodhur më përpara por se për këtë duhet drejtësia ta jap verdiktin e vet.

“Andaj, unë sot para jush deklaroj se ne do të punojmë, jemi të përcaktuar të punojmë, jemi të përcaktuar të vihemi në shërbim të vendit për aq sa mundemi dhe aq dimë. Kërkojmë përkrahje edhe në nivel lokal, edhe në nivel qendror. Kërkojmë gjithmonë vërejtjet, kritikat dhe sugjerimet e juaja”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke shprehur vendosmërinë që LDK të Qeverisë në përputhje me interesat e qytetarëve.

Prandaj, në këtë rrugë, kryetari Mustafa tha se LDK-ja do të vazhdojë punën e saj.

“Jam shumë i bindur se në qeverisjen lokale do të arrijmë suksese shumë më të mëdha sesa kemi pasur përpara dhe jam shumë i bindur se të gjitha udhëheqësit tona në të gjitha nivelet do të tregohen të përgjegjshëm para vendit, para ligjit dhe para qytetarëve”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Kryetari i Degës së LDK-së në Shtime, Selim Shabani, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se Dega e LDK-së në Shtime është e motivuar më tepër se asnjëherë më parë duke folur për aktivitetet e shumta që po zhvillohen në këtë Degë, në të gjitha nivelet e organizmit.

Kryetari Shabani tha se qytetarët e Komunës së Shtimes po përballen me një gjendje të rënde ekonomike duke kritikuar qeverisjen komunale dhe duke theksuar se kjo mënyrë e qeverisjes ka ndikuar që qytetarët e Shtimes ta humbin besimin.

“Andaj, shpresa e vetme për shtet ligjor, zhvillim ekonomik, prosperitet qytetarë është qeverisja me Lidhjen Demokratike të Kosovës në krye. Këtë më së miri po e dëshmon qeverisja e nivelit qendror në krye me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës njëherësh Kryeministrin e Kosovës, Akademik Isa Mustafa. Qeverisja me Kryeministrin Mustafa, një qeverisje me duar të pastra, pa korrupsion, me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, me rritje buxhetore, me rritje të punësimit, me pranim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetje financiare. Kjo është qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që po bëhet motivim dhe shpresë edhe për qytetarët e Shtimes që të përkrahin edhe më tepër Lidhjen Demokratike të Kosovës si alternativë e vetme qeverisëse”, tha Shabani, duke uruar 27 vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Shtime.

Gjatë këtij manifestimi është bërë ndarja e dy mirënjohjeve për veprimtarët e shquar të LDK-së si dhe janë shpërndarë librezat e anëtarësisë në LDK për dhjetëra të rinj të Shtimes.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
+4Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës