Deklarata dëshpëruese e Gecajt: Pa votat e opozitës ose të Listës Serbe nuk kalohet demarkacioni

21.11.2016 21:22:48

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka pranuar se për momentin nuk i kanë votat për ta kaluar ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por ka deklaruar se janë duke i bërë të gjitha përpjekjet që kjo çështje të kryhet sa më shpejt që është e mundur.

Këto komente Gecaj i bëri në një intervistë në emisionin “Imazh” në RTK 1.

“Nuk i kemi votat sepse opozita është kundër, por edhe Lista Serbe aktualisht është tërhequr nga institucionet, ndonëse zyrtarisht nuk kemi asgjë nga Lista Serbe për këtë tërheqje, por vetëm nga deklarimet e tyre në media. Pa njërën ose tjetrën është e pamundur të arrihen 80 vota, sa duhet për ta kaluar demarkacionin”, ka theksuar Gecaj.

Sa i përket zërave për zgjedhje të parakohshme ai ka thënë se koalicioni është duke qeverisur pa problem dhe zërat për zgjedhje nuk vijnë nga përfaqësuesit legjitim të partive.

“Çështja e 80 votave është çështje e konsenzusit. Qeverisë për të qeverisur i duhen 60 vota dhe ato i kemi pa problem. Asnjëherë nuk i kemi pas 60 vota si kjo Qeveri. 2/3 është paraparë që të ketë konsensus ndërmjet partive politike për çështje madhore. LDK-ja në mandatin e kaluar ka qenë opozitë, por ka votuar në çështjet me interes nacional. Ne nuk i kemi 30 vota të opozitës dhe 11 vota të Listës Serbe, që gjithsej bëjnë 41 vota, që do të thotë se edhe nëse të gjithë të tjerët votojnë pro demarkacionit, prapë nuk do t’i kishim votat e duhura. Sidoqoftë, ne nuk do të lëmë gur pa lëvizur që sërish ta sjellim në Kuvend ratifikimin e demarkacionit”, ka thënë Gecaj.

Lidhur me kushtet që flitet se I ka parashtruar Lista Serbe, Gecaj ka thënë se nuk ka diçka të tillë.

“Ne nuk bëjmë pazar me askënd për çështje të interesit nacional. Këtë e ka thënë sot edhe kryeministri Mustafa. Ne i kemi ftuar ata në një takim me kryeministrin Mustafa dhe t’i shtjellojmë të gjitha brengat. Jemi në pritje të përgjigjes së tyre. Ata e dinë se çështja e asociacionit nuk mund të zgjidhet pa kthimin e tyre në institucione. Për asociacionin duhet të punojmë së bashku.  Jemi një koalicion me 2/3-tat, por janë disa çështje që po ndërlidhen. P.sh çështja e Trepçës, ne nuk mund ta shkëmbejmë atë me çështjen e Demarkacionit. Pastaj çështja e Asociacionit, as atë s’mund ta shkëmbejmë me çështjen e Demarkacionit. Gjithsesi, ose duhet t’i kemi votat e Listës Serbe ose të Opozitës që ta kalojmë Demarkacionin. Nëse nuk i sigurojmë këto vota s’do të ketë kalim të Demarkacionit. Ne nuk kemi pasur probleme të mëdha me Listën Serbe derisa u aprovu Ligji për Trepçën. Nëse nuk gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe bashkëpunim mund të mos ketë liberalizim këtë vit”, ka shtuar Gecaj.

I pyetur se kur pritet të vihet në votim në Kuvend çështja e Demarkacionit, Gecaj është shprehur: “Atë moment kur mendojmë se i kemi 80 vota do ta kthejmë këtë çështje në Kuvend. Por duhet ta dimë se nëse nuk e kalojmë demarkacionin muajin tjetër, atëherë në vitin e ardhshëm do të kemi probleme, pasi shumë shtete perëndimore hyjnë në proces të zgjedhjeve”.