Deklaratë e fortë e Ambasadës së SHBA-ve për manipulimin politik në rastin e gjashtë shtetasve turq të dëbuar nga Kosova

11.03.2019 20:36:36

Me anë të kësaj Deklarate, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, u ka rikujtuar liderëve të Kosovës se duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues dhe në varësi të sundimit të ligjit.

Përveç kësaj, kjo Ambasadë ka rikujtuar edhe 31 gjetjet e shkeljeve ligjore ose procedurale që Komisioni Kuvendor Hetimor ka gjetur në punën e AKI-së, Ministrisë së Punëve të Brednshme dhe institucioneve të tjera të sigurisë.

Më tej, Ambsada Amerikane shpreh shqetësimin për mashtrimet nga ana e agjensive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e këtij sektori ndaj manipulimit politik.

Këtë Deklaratë, kjo ambasadë e ka bërë pasi që kanë kaluar gati një vit nga dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga autoritetet e Prishtinës.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë Deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë:

Kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik. Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit.
Nuk kemi të bëjmë me fajsinë apo pafajësinë e individëve, por shmangje të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen.