Deklaratë për media e Ipeshkvisë së Kosovës rreth shkrimit të publikuar në media për drejtorin e Shkollës “Don Bosco”

16.02.2017 17:40:38

Deklarata e plotë e Ipeshkvisë së Kosovës rreth shkrimit të publikuar në portalin lajmi.net për drejtorin e Shkollës “Don Bosco” në Prishtinë.

Shkrimi i publikuar në portalin lajmi.net, pa mëdyshje, ka ngjyrime tendencioze, si në metodologji ashtu edhe në përmbajtje.  Është një mënyrë dashakeqe për të arrirë qëllime të kamufluara.

Shkolla e Don Bosco-s është një ndër shkollat më të mira në Kosovë, me reputacion dhe edukim shembullor.  Që nga fillimi i punës së saj, jo që nuk kemi pasur asnjë vërejtje nga Familjet e nxënësve, por përkundrazi, kemi pranuar vlerësime të larta për të gjithë stafin drejtues të saj. Misioni i Don Boscos në edukimin dhe formimin e të rinjve është një dhuratë për Kishën dhe Shoqërinë tonë në Kosovë.

Shprehim keqardhje për shkrime të këtilla që ndjellin dyshime dhe krijojnë huti te qytetarët tanë. Nuk besojmë se do të kenë ndodhur gjëra të palejueshme në Shkollën Don Bosco, dhe besojmë në deklaratën për media që ka lëshuar Shkolla Don Bosco. Megjithatë, ipeshkvi do të interesohet për të zbardhur rastin edhe në detaje, duke ftuar edhe organet kompetente, që të arrihet deri te e vërteta.

Prishtinë, 16 shkurt 2017

Don Fatmir Koliqi, Zëdhënës i Ipeshkvisë së Kosovës