Del lista e kuqezinjve/ Ja lojtarët që do përballojnë Andorrën dhe Francën, Abrashi

10.11.2019 12:12:32

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edi Reja, ka bërë publike ditën e sotme listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidat me Andorrën dhe Francën.

Në listë bie në sy se janë plot 26 lojtarë të grumbulluar, si dhe 8 të tjerë të gatshëm, në rast të ndonjë dëmtimi apo largimi të lojtarëve të thirrur. Ndërkohë, ka edhe 5 lojtarë të cilët nuk ia kanë dalë dot për arsye dëmtimi.

Tre portierët janë Berisha, Hoxha e Strakosha, ndërkohë Selmani mbetet për Alban Bushin te Shpresat. Enea Mihaj është bashkuar me listën e mbrojtësve, ndërkohë që Hysaj, Ismajli, Veseli, Dermaku e Memolla bëjnë pjesë gjithashtu në listën e teknikut italian. Konfirmohet sërish ftesa për lojtarin e Partizanit, Lorenc Trashin.

Në mesfushë, vjen sërish nga dëmtimi Emanuele Ndoj, ndërkohë që nuk ndryshojnë emrat që kanë qenë prej kohësh si Xhaka, Bare, Memushaj, Gjasula, Qose, Ramadani e Lenjani. Ka sërish grumbullim për Lindon Selahin, që debutoi me fanellën kuqezi ndeshjen e tetorit, ndaj Moldavisë.

Risi në sulm është lojtari i Hibernian në Skoci, Florian Kamberi, për të cilin po punohet edhe për dokumentacionin, të jetë gati për aktivizim. Rikthehet Myrto Uzuni, që në tetor u la në listën e pritjes. Ndërkohë, emrat e tjerë në vijën e parë janë Balaj, Roshi, Manaj e Seferi.