Del nga shinat treni i mallrave Shqipëri-Mal i Zi

09.02.2017 19:08:52

Del nga shinat treni i mallrave, i linjës Shqipëri – Mal i Zi, nuk ka të lënduar. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, kur treni ishte  duke udhëtuar në drejtim të Shkodrës, pranë fshatin Grizhë të Malësisë së Madhe.

Shkak i këtij aksidenti është bërë dëmtimi i trasesë dhe për pasojë 6 nga 10 vagonët e trenit janë rrëzuar. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale pasi treni ishte i mbushur me lëndë inerte.

Aksidenti ndodhi në një zonë larg shtëpive të banimit, pasi në pjesë të tjera të hekurudhës ai kalon ngjitur me shtëpitë e banimit të fshatrave të Malësisë së Madhe, duke qenë rrezik serioz për jetën e kalimtarëve.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet mbi shkaqet e këtij aksidenti së bashku edhe me ekspertë të hekurudhave. Në pyetje po merren makinisti dhe punonjësit e tjerë, ndërsa nga hetimet e para mësohet se treni nuk ka qenë duke lëvizur me shpejtësi, pasi prej vitesh amortizimi i hekurudhës ka kthyer lëvizshmërinë në këtë zone në minimumin e mundshëm.