Deliu-Kodra: Gjuha e Sami Kurteshit, thellësisht e mjerë

29.12.2016 14:08:02

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar sërish ndaj deklaratave të Sami Kurteshit.

Në një postim të llogarinë e saj, Deliu ka shkruar se kur këto fyerje vinë prej një ish-Avokati të Popullit, i cili edhe nga kjo pozitë gjithmonë ka qenë në shërbim të politikës destruktive të Vetëvendosjes, atëherë kjo dëshmon shumë jo vetëm për nivelin e ultë, as për politizimin e fatkeqësisë së një aktivisti të tyre, por edhe për përpjekjen e kamotshme të tyre për ta politizuar e përçarë edhe vetë popullin.

“Është jo vetëm e papranueshme, por edhe thellësisht e mjerë gjuha e ultë e përdorur ndaj ministres Hoxha dhe grave në politikë që reaguan ndaj deklaratave të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Fyerjet janë gjithmonë argumente të atyre që s’kanë kurrë të drejtë. Por, kur ato vijnë prej një ish-Avokati të Popullit, i cili edhe nga kjo pozitë gjithmonë ka qenë në shërbim të politikës destruktive të Vetëvendosjes, atëherë kjo dëshmon shumë jo vetëm për nivelin e ultë, as për politizimin e fatkeqësisë së një aktivisti të tyre, por edhe për përpjekjen e kamotshme të tyre për ta politizuar e përçarë edhe vetë popullin.

Është për keqardhje niveli i tij. Por, ai dhe shumë të tjerë aty nuk janë asgjë tjetër përpos agjentë për ekzekutimin e agjendës politike të të tjerëve.

Të pretendosh se tërhiqesh nga cilësimet e bëra, për të vazhduar me “hienë” e çka jo tjetër, kjo vetëm sa e shpërfaq qartazi bërthamën e subjektit politik të këtij njeriu, i cili deri dje, paradoksalisht “kujdesej” për të drejtat e njeriut.