Demaku neser jep dorëheqje nga pozita e kryetarit komunës, dhe të degës së PDK-së

24.10.2016 19:30:57

Nexhat Demaku nesër do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës dhe të kryetarit të degës së PDK-së në Drenas.

Ky vendim vjen pasi që Gjykata e Apelit ua ka konfirmuar dënimin që ka dhënë Gjykata Themelore e Mitrovicës më 15 maj të vitit 2015.

Nexhat Demaku ishte dënuar me 3 vjet burg së bashku edhe me vëllain tjetër Fadil Demaku në rastin “Drenica II”.

“Unë nesër do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës dhe kryetarit të degës së PDK-së në Drenas”, ka thënë Demaku për KosovaPress.

Me gjithë këtë, kryetari i Drenasit tha se asnjëherë nuk do ta pranojë këtë vendim që ka dhënë Gjykata.

Demaku tha se krejt ky proces prej fillimit deri në fund ka qenë jo i rregullt dhe i montuar.

Vet fakti sipas Demakut që lënda është transferuar në veri që ai e quan vendin më të jashtëligjshëm në Evropë, tregon qëllimin e misionit.

“Ky proces është nisur me një qëllim që të njolloset UÇK-ja dhe se ky dënim është dënim i një grupi të radhës së UÇK-së pasi që edhe më herët janë dënuar bashkëluftëtarë tjerë”, tha Demaku për KosovaPress.

Sipas tij, tendenca është që të kriminalizohet UÇK, por siç shton ai”nuk kanë me ia arrit këtë pavarësisht këtyre tendencave”.

Nexhat Demaku ka bërë të ditur se edhe vëllai i tij Fadil Demaku do të jap dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Apeli ua ka konfirmuar dënimin edhe dy vëllezërve tjerë Zeqir dhe Jahir Demaku me nga 6 vjet burg, Isni Thaçit me 6,5 vjet burg, Sylejman Selimit ia kanë zvogëluar një vit burg në 7 nga 8 që ishte dënuar si dhe vëllezërve Demaj, Bashkim, Driton, Selman dhe Agim Demaj me tri vjet burg.

Të gjithë këta janë dënuar për krime lufte në rastin e njohur si “Drenica II”.