Demarkacioni në “duart” e Listës Serbe, nuk votohet pa kthimin e tyre

28.02.2017 15:39:00

Pasi komisioni për matjen e territorit, doli me rezultate përfundimtare se Kosova nuk humb territor, është thënë se çështja e demarkacionit pritet të procedohet në Kuvend.

Mirëpo, kjo temë e “nxehtë” tanimë ka bërë të fillojnë përplasjet mes pozitës dhe opozitës në lidhje me votimin e tij, pozita thotë se demarkacioni nuk është në dëm të Kosovës por është kusht për liberalizimin vizave, nga ana tjetër opozita thotë se ata që do votojnë demarkacionin janë tradhtarë.

Sidoqoftë, sipas burimeve të lajmi.net demarkacioni nuk do të procedohet në Kuvend deri sa të kthehet Lista Serbe.

Lista Serbe në tetor të vitit të kaluar është larguar nga Kuvendi, dhe është deklaruar disa herë se nuk do të kthehet deri sa të përmbushën kriteret e kërkuara nga ata, një ndër to është formimin i asociacionit të komunave më shumicë serbe (AKS).

Po ashtu kujtojmë, se disa deputet të koalicionit janë deklaruar hapur kundër demarkacionit që do të thotë se koalicioni LDK-PDK nuk i ka votat për demarkacion.

Nga ana tjetër kryenegociatorja për dialog, Edita Tahiri ka thënë se nëse koalicionin dështon në votimin e demarkacionit vendi do të shkojë në zgjedhje.