Demarkacioni nuk ka qenë shkaku për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa

04.12.2017 18:28:07

Nga Rexhep Kastrati

Demarkacioni me Malin e Zi është negociuar nga Hashim Thaçi kur LDK ka qenë në opozitë dhe nuk ka qenë pjesë e procesit të negociatave.

Edhe kur është emëruar dhe votuar përbërja e kaluar e Komisionit përkatës, LDK ka qenë në opozitë.

Nënshkrimi i saj në kohën e Qeverisë Mustafa, nga ana e Hashim Thaçit, është vetëm vazhdimësi e një procesi që kishte filluar vite më parë.

Politizimi i partive opozitare në mënyrë të hapur, por me mbështetjen e PDK-së, nuk do të thotë se kjo çështje ka qenë shkaku pse ka rënë Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa, por ka qenë vetëm manipulim për të nxitur konfuzion brenda LDK-së, strukturave të saj, grupit kuvendor, mbështetësve të saj, si dhe mënyrë për të arsyetuar angazhimet e dhunshme kundër institucioneve të shtetit në përputhje me një strategji destabilizuese.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa ka rënë pikërisht se u arrit që me këtë çështje, me linçimin medietik të kryeministrit Mustafa, të Qeverisë së drejtuar nga ai, me linçimin e kuvendarëve të LDK-së që ishin pro asaj Marrëveshjeje, dhe të LDK-së në përgjithësi, pra u arrit të kriohej konfuzion brenda gjithë këtyre, sa që shumë nga ta e ndienin veten krenarë që shkelnin vendimet e partisë dhe që hapur angazhoheshin kundër Qeverisë që drejtonte partia që përfaqësonin ata.

Pra arsyeja e parë duhet kërkuar brenda vetë LDK-së, e jo te Demarkacioni.

Arsyeja tjetër ka të bëjë me humbjen e rolit drejtues të proceseve në Kosovë nga ana e PDK-së dhe partive të tjera. Në fakt, kjo ishte në kundërshtim me arsyet politike dhe historike të shfaqjes së linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste, e që kanë të bëjnë me eliminimin e rolit udhëheqës të presidentit Rugova dhe të LDK-së në këto procese. Megjithëse LDK nuk është ajo e kohës së presidentit Rugova dhe brenda saj ka shumë vegla kondomë dhe bilbilenj që cicërojnë sipas interesave personale dhe sipas urdhërave nga jashtë saj, megjithatë rikthimi i rolit të saj udhëheqës ka pasur ndikim shumë pozitiv si në qeverisjen e vendit, si në raportet me botën, ashtu edhe në procesin negociator. Prandaj kishte shqetësuar tepër shumë Serbinë dhe aleatët e saj, e që u angazhuan plotësisht për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga LDK dhe kryeministri Mustafa. Vetë Vulin kishte urdhëruar që të rrëzohej kjo Qeveri, urdhër që u zbatua nga PDK, VV, AAK e Nisma, bashkë me listën “Srpska” dhe me pakicat tjera.

Arsye tjetër që ka shërbyer për ta rrëzuar Qeverinë e drejtuar nga LDK dhe kryeministri Mustafa ka të bëjë me frikën nga fuqizimi dhe rrita e LDK-së qoftë si rezultat e qeverisjes, qoftë edhe si rezultat i proceseve dezintegruese të partive të tjera. Qeverisja e drejtuar nga LDK, pavarësisht nga vështirësitë, ka qenë qeverisja më e mirë që ka pasur Kosova që nga paslufta. Rezultatet e reformave të kryera gjatë asaj qeverisjeje, që me kalimine kohës do të ishin më të mëdha dhe më të prekshme nga qytetarët. Në anën tjetër, procesi që do të përfshinte partitë nga funksionalizimi i Gjykatës speciale, do të fuste ato në një proces dezintegrimi dhe dobësimi të tyre. Ndërprerja e qeverisjes nga ana e LDK-së ishte si një mënyrë për të penguar si rritën e saj, si dobësimin e të tjerëve, ashtu edhe funksionalizimin e Gjykatës speciale.

Një arsye tjetër pse ka rënë Qeveria e drejtuar nga LDK dhe nga kryeministri Mustafa ka të bëjë me kontekstin gjeoplitik e gjeostrategjik që lidhet me krizën brenda BE-së dhe intensifikimit të veprimeve destabilizuese të Rusisë në rajon. Qeveria e drejtuar nga LDK dhe kryeministri Mustafa kishte adoptuar një qasje proamerikane dhe në bashkërendim me aleatët tjerë strategjikë, siç është Gjermania që kishte ngjallë reagimin e shteteve të tjera siç janë Franca, Italia etj., e të cilat thuajse asnjëhherë nuk kishin dënuar dhunën në Kosovë. Kryeministri Mustafa ishte deklaruar prerazi kundër unionit doganor dhe tregtar në rajon, e të cilën e kishin sponzorizuar Rama dhe Vuçiq, e që Johanes Hahn e kishte futur në axhendën e tij.

Pra, për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga LDK dhe kryeministri Mustafa kishte arsye shumë të fuqishme dhe faktorë shumë të fuqishëm, kurse demarkacioni dhe asociaciacioni ishin vetëm pretekste për të rrëzuar Qeverinë për arsyet e mësipërme.

Mirëpo bilbilenjtë që guxojnë e flasin në emër të LDK-së pa asnjë kontribut dhe pa asnjë angazhim në këtë parti, me injorancën e papërgjegjshmërinë e tyre e shqyejnë gurmazin sikur të ishin zëdhënës të Hashim Thaçit, e jo njerëz që flasin në emër të LDK-së.

Kjo praktikë duhet të marrë fund, sepse të këtillët jo që nuk ndihmojnë në forcimin dhe konsolidimin e LDK-së, por e dobësojnë më tej.