Demarkacioni rrezikon “të prishë” Kosovën me miqtë ndërkombëtarë

18.11.2017 15:54:59

Ramush Haradinaj, Greg DelawieKosova rrrezikon të humbas miqtë ndërkombëtarë për Demarkacionin.

Kohë më parë Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pati hyrë në polemikë me gazetarët rreth deklaratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth çështjes së Demarkacionit, po tani përmes një deklarate për media, ambasada e këtij vendit ka shprehur mendimin e tyre të qartë rreth kësaj çështje.

Kjo ambasadë ka lëshuar një deklaratë për raportimin e Komisionit të ri për Demarkacionin me Malin e Zi. Në këtë reagim të SHBA-ve thuhet se ky raportim i Komisionit ishte zhgënjyes dhe se këto të gjetura janë të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.

E duke komentuar në lidhje me këtë, analisti Faik Krasniqi ka thënë për gazetën “Bota sot” se Qeveria e kryeministrit Haradinaj dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, duhet t’i japin një epilog sa më të shpejt çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Ai ka thënë se nëse Komisioni ka fakte, duhet t’ia paraqes Qeverisë.

“Kjo çështje nuk mund të ngelet kështu deri në pafundësi, sepse na është vënë si kusht kryesor për liberalizim të vizave, dhe ata që po pësojnë nga izolimi i BE-së janë qytetarët e Kosovës. Sikur ky izolim nga ana e BE-së të ishte edhe për politikanët tanë, nuk besoj që do të zgjaste me vite të tëra. Nëse Komisioni i ri për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka fakte të bazuara juridike se ka devijim të vijës kufitare, atëherë ato fakte menjëherë t’ia paraqes Qeverisë dhe anëtarët e Komisionit të vjetër të japin përgjegjësi për falje të territorit. Pastaj Qeveria Malit të Zi t’i kërkojë menjëherë rinegociim”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, sipas Krasniqit, nëse nëse ky Komision nuk ka të gjetura juridike, atëherë edhe anëtarët e këtij Komisioni duhet të japin përgjegjësi për zvarritje me vite të tëra me këtë çështje, dhe Qeveria menjëherë ta procedojë në Kuvend për votim.

“Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht janë duke na bërë thirrje që sa më shpejt ta ratifikojmë Demarkacionin, në të kundërtën s’do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Një gjë të tillë e kanë përsëritur me dhjetëra herë edhe zyrtarët më të lartë të shtetit amerikan. Madje zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, ishte disa herë për vizitë në Kosovë enkas për këtë çështje. Mos të luajmë me durimin e mikut, sepse vizitat e tij tek ne nuk ishin të kota, por as turistike. Prandaj, mos të presim të marrim kritika të mëtutjeshme nga miqtë tanë ndërkombëtarë, e sidomos nga SHBA-ja pa të cilët nuk do të mund të ekzistojmë”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

Tahiri: Ambasada amerikane drejtoi gishtin kah fajtorët
Ndërsa, analisti Mentor Tahiri ka thënë për “Bota sot” se reagimi nga ana e ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, është vazhdimësi e një qëndrimi të qartë lidhur me demarkacionin.

“SHBA-të vazhdimisht kanë siguruar jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe më gjerë opinionin publik në Kosovë, se vendi nuk pëson kurrfarë humbje me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi”, ka thënë ai.

Po ashtu ka shtuar se duhet pranuar se reagimi amerikan kësaj radhe është shumë më i ashpër.

“Drejton gishtin më qartë te fajtorët dhe thekson natyrën e interesave personale dhe partiake të bartësve të kauzës “Demarkacion”, kurse si i tillë ky reagim mund të jetë edhe i fundit”, ka theksuar Tahiri.

Po ashtu, ai shpreson që ekzekutivi dhe legjislativi i Kosovës, janë mjaftueshëm të përgjegjshëm të kuptojnë sinjalin amerikan.

“Në rast se klasa politike e Kosovës nuk reflekton, jo vetëm që po rrezikojmë të komprometojmë marrëdhëniet e mira me aleatët tanë, por edhe po i dekurajojmë aleatët që të vazhdojnë të kujdesen për ne”, ka deklaruar ai.

Si përfundim, Tahiri ka thënë se marrëdhëniet e mira me SHBA-të janë jetike për vetë ekzistimin e shtetit të Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë luksin që të tolerojnë çfarë do papërgjegjësie në raport më SHBA-të, pavarësisht nga cili politikan vjen kjo papërgjegjësi”, ka përfunduar Tahiri.

Përplasjet mes presidentit dhe kryeminstrit
Kurse, analisti Islam Krasniqi ka thënë se reagimi i Ambasadës Amerikane bën të kuptohet se Demarkacioni është një çështje e kryer, dhe se nuk do të ketë ndryshim të kufijve.

“Kundërshtimi i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë tregon se puna e Demarkacionit është kryer dhe se me komisionin e ri qeverisës nuk do të ketë ndonjë ndryshim kufijsh, pavarësisht së gjejnë prova të reja apo thirrën ato kundërshtimet e mëparshme. Republika e Kosovës duhet patjetër të gjejë një zgjidhje, sepse jemi shtet i pavarur, mirëpo gjithmonë duke u konsultuar me shtetin mik, SHBA-në apo ambasadorin e tyre në Prishtinë, sepse ata janë të vetmit që na kanë zgjatur dorën dhe na kanë ndihmuar në shtetndërtimin tonë”, ka shtuar Krasniqi për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se problemi qëndron të institucionet tona, ku presidenti dhe kryeministri kanë mendime të ndryshme.

“Presidenti mundohet ta mbrojë marrëveshjen e Demarkacionit, sepse po doli e kundërta, ai e di se do të ndiqet penalisht për nënshkrimin e tij, gjersa kryeministri po pretendon se është mashtruar pala kosovare dhe kërkon përmirësimin e këtij gabimi, e që kjo marrëveshje po del të jetë një thikë më dy teha, ku nga njëra anë humbim tokë, në anën tjetër mbesim të izoluar, e që po rrezikohen vetëm qytetarët e Kosovës, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk arrijnë në lëvizin pa viza”. Nuk është e drejtë të përzihet ambasada Amerikane, në çështjen e brendshme, mirëpo kur e dimë së çfarë subjekte politike kemi kredibilitet i tyre që është zero, duhet vetë të kërkojmë ndihmën e SHBA-ve, sepse liderët tanë veprimet i bëjnë për like, jo për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.