Dëmet nga shiu, komuna i vlerëson por nuk i kompenson

02.08.2016 23:31:49

Për rastet e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore as Komuna e Prishtinës e asnjë komunë tjetër nuk ka buxhet të caktuar. Për t’i kompensuar qytetarët e prekur, Komuna mund t’i bëjë kërkesë Qeverisë qendrore, e cila po ashtu nuk ka buxhet të veçantë për këso rastesh, thotë Ibush Kelmendi.

Ekonomitë familjare ose bizneset që mund të kenë pësuar dëmtime nga vërshimet sikur ato të mbrëmshmet nuk kanë pse t’i drejtohen Komunës së Prishtinës, as ndonjë komune tjetër për kompensime.

Shefi i Sektorit komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ibush Kelmendi, tha për Kallxo.com se Komuna e Prishtinës sikurse edhe asnjë komunë tjetër, e madje as Qeveria e Kosovës, nuk kanë buxhet për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet apo fatkeqësitë e tjera natyrore.

“Është e vërtetë se as Komuna e as Qeveria nuk kanë buxhet për kompensimin e dëmeve sepse nuk ka kod të posaçëm për këto raste, për kompensimin e dëmeve në rast të fatkeqësive natyrore”, tha Kelmendi.

Sipas tij, Komuna ka formuar një Komision, i cili evidenton dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Ibush Kelmendi tha se krejt çka mund të bëjë Komuna është që t’i bëjë kërkesë Qeverisë qendrore që t’i sigurojë mjete për t’ua kompensuar dëmet qytetarëve.

“Nëse ndodh që të sigurohen mjete për shembull nga Qeveria, atëherë ne i kemi të gatshme lëndët, i kemi të gjitha shënimet, dhe mund të bëjmë kompensimet”, thekson Kelmendi.

Ai tregon se para dy viteve Komuna e Prishtinës kishte kërkuar mjete nga Qeveria, e cila kishte ofruar një pjesë të mjeteve dhe një pjesë e kishte siguruar Komuna dhe kështu qytetarëve të kryeqytetit u ishin kompensuar dëmet.

Sa u përket vërshimeve të mbrëmshme në qytet, Ibush Kelmendi tha se ato janë rezultat si i mungesës së kapacitetit të rrjetit të kanalizimit për ta përballuar sasinë aq të madhe të ujit ashtu edhe i mbylljes së pusetave.