Demokraci për Shqipërinë, liri për artin

11.10.2016 16:30:24

Juxhin Nebiaj, As. pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë

Intervistë me ass. Prof. Roland Çene, dirigjent dhe pedagog në Universitetin e Arteve të Tiranës  (mbi historikun e Shkollës së Lartë të Muzikës në Shqipëri)

1.    Si brezi i parë i studentëve të Konservatorit dhe drejtues i Orkestrës Simfonike të ILA (kur ishit student në vitin e fundit) ç’farë mund të na thoni në lidhje me përgatitjet për ngritjen e tij (ç’farë ka mbetur në memorien tuaj); kuadrot e para dhe kontributi i tyre; studentët e parë që çelën klasat e këtij Konservatori etj.
Konservatori shtetëor i Tiranës u çel në vitin 1962 dhe i filloi mësimet në shkurtin e vitit 1962. Çelja e tij erdhi si nevojë e kohës, pas prishjes së mardhënieve me vendet e ish kampit socialist lindor. Studentët të cilët studionin në këto vende u detyruan të ktheheshin e për pasojë nuk kishin mundësi të ndiqnin më tej studimet e larta, plus që stadi i zhvillimit të Shqipërisë në ato vite domosdoshmërisht kërkonte hapjen e një shkolle të lartë muzikore. Para Konservatorit, në vitin 1959, ishte çelur Instituti i Lartë i Dramës dhe Fakulteti i Arteve Figurative. Përveç studentëve të ardhur nga jashtë, ekipi i Konservatorit shpalli një konkurs dhe ftoi kandidatë që mund të kishin njohuri muzikore për tu bërë pjesë e shkollës. I’u krijua mundësia shumë të rinjëve, të cilët kishin mbaruar Liceun Artistik dhe shumë të tjerë, të cilët kishin një formim të pavarur muzikor autodidact – kështu u krijua kursi i parë.
Unë jam student i kursit të dytë; për arsye pune nuk pata mundësi të vija në kursin e parë. Kursi i parë e bëri programin mësimor të ngjeshur, dhe në fund të korrikut përfundoi vitin e parë. U çel pothuajse me të gjitha specialitetet: kompozicion, teoritik, dirigjent simfonik e koral, kanto, piano, violinë, violonçel, flaut, oboe, klarinet, trompë. Në këtë kurs bënin pjesë kompozitorët Tonin Harapi, Kozma Lara, Beniamin Kruta (i cili kishte studiuar më parë në Rumani). Stafi i parë ishin pedagogë që kishin studiuar në vendet e lindjes, por dhe ndonjë që kishte studiuar vite më parë në Perëndim. Muzikologu Albert Paparisto Hamide Stringa, kompozitorët Çesk Zadeja, Tish Daija, Simon Gjoni, dirigjentët: Rifat Teqja, Milto Vako, Instrumentistët si Ymer Skënderi (violonçelist dhe përgjegjës i katedrës së instrumenteve), Tonin Guraziu pedagog i pianos, Sofokli Paparisto i violinës, Këngëtarët lirikë si Mihal Ciko, Marije Kraja si pedagogë të kantos, Isuf Baiu e Isuf Lato për instrumentat e frymës, ku veç pedagogëve të brendshëm kishte dhe të jashtëm të cilët ishin kryesisht artistë në Teatrin e Operas. Programet erdhën nga Konservatori Çajkovski i Moskës. Lëndët bazë ishin harmonia, solfezhi, polifonia, orkestracioni, historia e muzikës, edukimi koral, orkestra si dhe lëndë të tjera të karakterit të përgjithshëm. Brezi i parë dhe i dytë që mbaruan studimet u shpërndanë në të gjithë vendin dhe jeta artistike në Shqipëri fitoi një dinamizim të madh, duke gjallëruar jetën artistike, nëpërmjet krijimit të koreve, orkestrave nëpër rrethe, pak prej të cilave vazhdojnë dhe sot.

2.    Cilat ishin sipas jush arritjet e para më të rëndësishme në krijimin e infrastrukturës mësimore (programet, tekstet etj.).
Fillimisht profesorët tanë punuan me tekstet ruse por me kalimin e kohës filluan të përshtaten tektse si për harmoninë, orkestracionin, historin e muzikës, polifoninë etj. nga pedagogë shqiptarë, të cilët u mbeshtetën në tekstet e shkollës ruse.

3.    A ishte e rëndësishme përvoja e pedagogëve të parë të këtij Konservatori, të cilët kishin studiuar në shkollat krysisht të Evropës Lindore për të sjellë kontributin e tyre në fillesat e brishta të shkollës sonë të lartë të muzikës?
Padyshim që studentët që erdhën sollën frymën e shkollave të lindjes, por krahas kësaj fryme studentët patën një përparim shumë të madh në këto vite të para, duke dëshmuar individualitet dhe kompetencë.

4.    Cilët ishin sipas jush kuadrot e para më të evidentuar në cilësinë e mësimdhënies sipas specialiteteve?
Kanë kaluar gati 60 vjet që nga çelja, por ashtu si unë edhe kolegët e mi, u kemi treguar brezave se personalitetet e para janë: Albert Paparisto, Hamide Stringa, Çesk Zadeja , Tish Daija, Marie Kraja, e më pas Tonin Harapi, Kozma Lara, Ramiz Kovaçi, të cilët kanë mbetur ende personalitetet më të spikatur në fushën e muzikës.

5.    Ç’farë mund të na thoni për nivelin e studentëve si artistë të rinj të skenës, krijues dhe kritikë në hapat e para të kësaj shkolle?
Shkolla prej 60 vjetësh ka shkolluar studentë të të gjitha profileve, por një numër i konsidurueshëm personalitetesh i përkasin këtij brezi të parë e të dytë. Ata ishin pikërisht themeltarët e kësaj shkolle dhe dëshmuan nivelin e tyre profesional përmes asaj ç’farë dhanë me talentin e tyre në skenat shqiptare si dhe me forcën e mendimit në botimet e ndryshme publicistike e shkencore.

6.    Kur mendoni se e kristalizoi rrugën për vazhdimësinë Konservatori dhe, më pas, Instituti i Lartë i Arteve me 3 fakultetet e tij (me Fakultetin e Artit Skenik; të Muzikës dhe të Arteve të Bukura) ku do të veçonim Fakultetin e Muzikës?
Me bashkimin e tre fakulteteve në 1966 mund te themi qe shkolla mori një fizionomi të plotë në drejtim, ku njëkohësisht filluan përgatitjet për gjithë specialitiet, u hap klasa e violës, kontrabasit, trombonit, kornos. Me kalimin e viteve, filluan të funksionojnë të gjitha specialitet, duke krijuar kështu një strukturë të plotë akademike muzikore.

7.    Cilat ishin ne këtë kontekst vitet “më të arta” (nëse mund të konsiderohen të tillë) sipas jush të para viteve ’90, lidhur sidomos me Fakultetin e Muzikës?
Mendoj se vitet 1968-1987 kanë qenë vite në të cilët Fakulteti i Muzikës ka prodhuar kualitete të rëndësishëm, të cilët kanë treguar mirëfunksionimin e këtij fakulteti në këtë periudhë gati 20 vjeçare.

8.    Si e kaloi tranzicionin ILA si institucion dhe Fakulteti i Muzikës si pjesë integrale e tij në vitet ’90, duke pasur parasysh ndryshimet e mëdha që ndodhën me vendosjen e demokracisë, të cilat më pas sollën edhe ndryshmin e emrit nga ILA në Akademi të Arteve?
Në vitet 1990 ndryshimet politike përgjithësisht na stepën, por shumë shpejt filloi një organizim i ri. Ndryshoi dhe emri i shkollës në Akademia e Arteve, por dhe u krijua mundësia për pedagogët, të cilët mund të specializoheshin në vendet perëndimore, gjë që solli rritje të cilësisë së mësimdhënies, ose shkëmbimet me shkollat e tjera.

9.    A kishte, sipas jush, prurje pozitive në drejtim të hapjes së kufijve edhe kulturorë, por njëkohëshëm edhe ‘humbje’ në lidhje me ikjen “e trurit” intelektual – artistëve që emigruan në vende të ndryshme të botës?
Hapja e Shqipërisë përbën një epokë të re dhe për artin tonë. Shumë të rinjve i’u krijua mundësia të vazhdonin jashtë, por dhe studentë që mbaruan në këtë shkollë gjetën mundësi të punësoheshin në shumë vende të zhvilluara perëndimore gjë që tregoi se shkolla jonë ka patur një nivel të lartë.

10.    Vazhdimësia e këtij çerek shekulli ndryshimesh (pra, pas viteve ’90) në Shkollën e Lartë të Muzikës, sot Universiteti i Arteve, si vjen në optikën tuaj?
Pas viteve 90, sidomos pas vitit 2000, ka patur ndryshime të mëdha: kanë hyrë programe të reja, gjithashtu ka hyrë një informacion i bollshëm me anë të internetit, bibliotekës; janë hapur degë dhe lëndë të reja si muzika xhaz, saksofoni, muzikologjia sistematike, etnomuzikologjia; janë shtuar gjithashtu orët e muzikës së dhomës. Mendoj se në Universitetin e Arteve, ka një jetë koncertale të begatë me koncerte simfonike, operistike, solistike, muzikë dhome etj.
Në optikën time, në këtë fakultet, spektri i kërkesave për të ardhmen është i qartë dhe po bëhen përpjekje maksimale për realizimin e tyre.