Demokracia në Veprim: Disa qendra të votimit u hapen me vonesë

Demokracia në Veprim: Disa qendra të votimit u hapen me vonesë

19.11.2017 10:27:17

Koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim, ka bërë të ditur se nuk janë hapur të gjitha qendrat e votimit me kohë, pasi ka pasur vonesa deri në 30 minuta në disa komuna.

Albert Krasniqi nga DnV-ja, tha se nga vëzhguesit e saj që gjenden në të gjitha qendrat e votmit dhe vendvotimet, kanë vërejtur se nuk janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit, si pasoj e mungesës së komisionerëve.

“Sa i përket hapjes së vendvotimeve ndryshe nga ajo që u raportua nga KQZ-ja se të gjitha janë hapur me kohë, vëzhguesit tonë kanë evidentuar vonesa në 12 vendvotime nga 1777 sa janë gjithsejtë, prej të cilave në 50 për qind ka qenë arsye për shkak të vonesave të komisionerëve. Nëse i zbërthejmë në komunë, në Prizren ka pasur pesë vonesa në pesë vendvotime, në Suharekë në tri vendvotime, në Prishtinë në dy vendvotime, dhe në Klinë e Rahovec menja nga një vendvotim ku janë shënuar vonesa deri në 30 minuta”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit në orët e para të votimit ka pasur edhe disa parregullsi tjera që janë vërejtur nga vëzhguesit e tyre, por që nuk janë tepër serioze.

“Sa i përket propagandës apo pranisë së materialeve të fushatës zgjedhore në afërsi të perimetrit prej 100 metrave afër qendrave të votimit që është i ndaluar me ligjin për zgjedhjet, ne kemi evidentuar në 19 qendra të votimit apo në 3 për qind të tyre ka prani të materialeve të subjekteve politike. Në bazë të komunave këto janë në Gjilan, Prizren, Podujevë, Suharekë në tri qendra të votimit dhe në Malishevë në dy qendra të votimit. Materialet zgjedhore, mungesë e tyre janë evidentuar në 60 vendvotime, ose në 3.4 për qind e të gjitha vendvotimeve”, theksoi ai.

Prania e personave të paautorizuar në vendvotime, sipas Krasniqit edhe kësaj radhe janë evidentuar, porse më pak se sa herëve tjera. Ai tha se kanë vërejtur 44 raste ose 2.6 për qind e të gjitha vendvotimeve.

Krasniqi përmendi edhe një incident jo serioz në Komunën e Klinës, ku sipas vëzhguesve të DnV-së, në orën 07:45, shkolla “Ali Krasniqi” është goditur me gurë nga jashtë duke dëmtuar derën e hyrjes së qendrës, derisa, autorët ende nuk janë evidentuar.

Ndërsa, Krasniqi tha se në shkollën “Hysen Zajmi” në Istog disa persona kanë votuar jashtë vendvotimit.