Dëmtohen varrezat e dëshmorëve në Terstenik

31.07.2017 14:57:17

Para disa ditësh janë dëmtuar rrethojat e varrezave të dëshmorëve në fshatin Tërstenik, gjë që ka ngritur edhe dilema se çfarë e ka shkaktuar dëmtimin e tyre.

Për të parë nga afër problemin, në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi i KosovaPress-it, me ç’rast aty përveçse vërehet dëmi i shkaktuar, ajo që bie në sy janë varrezat e dëshmorëve të cilat nuk janë të rregulluara konform ligjit dhe rregullave. Ndërsa nga ajo që është parë, duket se edhe pjesa tjetër e rrethojës nuk do të qëndrojë gjatë.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha thënë për KosovaPress se është Policia Rajonale e Drenasit që po merret me hetimin e rastit në fshatin Tërstenik, për të identifikuar keqbërësit që kanë dëmtuar rrethojën e varrezave, ndërsa nuk përjashton mundësinë që ky dëm të jetë shkaktuar për arsye politike.

Sa i përket mungesës së rregullimit të varrezave të dëshmorëve në këtë fshat konform rregullave, dhe mirëmbajtjes së tyre, Lladrovci thotë se kudo qofshin ato nuk duhet të preken.

Ndërsa premton se brenda vitit të ardhëm do të rregullohen të gjitha varrezat në Komunën e Drenasit.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Naim Bazaj, tha se janë munduar gjithmonë të intervenojnë që të përmirësojnë gjendjen e varrezave të dëshmorëve në fshatin Tërstenik, ku edhe ai vet jeton.

Ndërkaq, sa i përket dëmtimit të rrethojës së varrezave të dëshmorëve në fshat, Bazaj mendon se këtë e ka shkaktuar era e fortë dhe puna joprofesionale e punëkryesit që ka ndërtuar dikur rrethojën.

Bazaj konsideron se buxheti i Komunës së Drenasit është mjaft i vogël për të investuar në infrastrukturë e varreza, por megjithatë shprehet optimist se çështja do të zgjidhet me rishikim të buxhetit.

Në luftën e fundit të UÇK-së, nga ky fshat kanë rënë 23  dëshmorë dhe 36 martirë.