Dëmtoi ligamentin, Busquets mungon dy javë

23.01.2017 18:38:05

Lajme jo të mira nga infermieria e Barcelonës për Sergio Busquets. Mesfushori i blaugranave do të mungojë nga 10 deri 15 ditë pas dëmtimit që pësoi në sfidën me Eibarin të fituar 4-0 nga skuadra e Luis Enriques. Ekzaminimet mjekësore të kësaj të hëne treguan se 28-vjecari ka thjesht një përdredhje të ligamentin e jashtëm të kaviljes, duke përjashtuar mundësinë e këputjes. Një dëmtimim i tillë kërkon një periudhë 2-javore për t’u rikuperuar.

Ishte minuta e 9 e takimit kur Gonzalo Escalante kreu një ndërhyrje të rëndë, që mund të meritonte madje edhe karton e kuq, por gjyqtari u mjaftua vetëm me akordimin e një goditjeje të lirë. Busquets qëndroi në fushë për disa minuta dhe mes dhimbjes u detyrua të dilte me barrelë nga loja. Një nga pikat më të forta të katalanasve pritet të humbasë të paktën tri ndeshjet e radhës, cerekfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit me Real Sociedadin, transfertën me Betis Sevilla në javën e parë të fazës së dyte të Primera Division, si dhe takimin me Atletic Bilbaon në “Camp Nou” po në kampionat.