Dënohet i riu që vari flamurin e ISIS në Kodrën e Trimave

03.07.2017 11:29:56

Dënimi me burg ndaj 19 vjeçarit, me vendim të gjykatës, u kthye në pune në dobi të përgjithshme prej 180 orësh.

Kur doli sot para gjykatës, Q.M. e pranoi fajësinë për veprën me të cilën akuzohej nga Prokuroria Speciale por u arsyetua se “nuk e ka ditur” i kujt është ai flamur.

Ai shprehu pendesë të thellë për aktin e kryer më 14 shtator 2016 në rrugën “Xhavit Haziri’ në Kodrën e Trimave në Prishtinë, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni për peshën e veprës së kryer.

Q.M. akuzohej për bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë apo policinë e huaj me formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, akuzë e dënueshme sipas Ligjit për parandalimin e bashkimit në konfliktet e armatosura jashtë Kosovës.

Pjesë e aktakuzës janë edhe dy të mitur të tjerë ndaj të cilëve do të udhëhiqet procedurë e veçantë për të mitur.