Dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë kirurgu i akuzuar për marrje të ryshfetit

19.12.2017 18:04:27

Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën, shpalli aktgjykim dënues ndaj kirurgut të Spitalit Rajonal të Ferizajt, Imri Vishi, i akuzuar për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe për armëmbajtje pa leje.

Për veprën e parë penale, atë të marrjes së ryshfetit në vazhdim, ai u gjykua me një vit burgim me kusht dhe 3000 euro gjobë.

Ndërsa, për armëmbajtje pa leje, ndaj tij u shqiptua dënim me gjobë në lartësi prej 800 eurosh si dhe dënimi plotësues, konfiskimi në mënyrë të përhershme i dy pistoletave me nga një karikator të kalibrit 6,35 mm si dhe një granate dore.

Të dy gjobat, i njëjti u urdhërua t’i paguaj 30 ditë pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, ndërkaq dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet në qoftë se ai nuk kryen vepër të njëjtë penale brenda dy vitesh.

Po ashtu, në bazë të këtij aktgjykimi, ai u obligua që në emër të shpenzimeve procedurale të paguaj shumën prej 100 eurosh.

Aktgjykimi ndaj Vishit, u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ibrahim Idrizi, të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Trupi gjykues, ndërkaq refuzoi kërkesën e prokurorit Rasim Maloku, që tani të dënuarit krahas dënimit kryesor t’i shqiptoheshin edhe dy dënime plotësuese, dhe atë ndalimi i ushtrimit të profesionit apo veprimtarisë si kirurg si dhe konfiskimi në mënyrë të përhershme i të hollave në vlerë prej12,570 eurosh,100 dollarëvë amerikanë si dhe 100 frangave zvicrane.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, kjo shumë e të hollave nuk iu nënshtrua konfiskimit, me arsyetimin se nuk është gjetur asnjë element se këto të holla janë përfituar nga kryerja e veprës penale “marrja e ryshfetit”.

Kurse, sa i përket kërkesës për ndalim të ushtrimit të profesionit, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi, konstatoi se tani i dënuari me kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohej, nuk ka shkelur profesionalizmin e tij si kirurg, por vetëm ka keqpërdorur pozitën e tij.

Ndryshe, mbrojtësi me autorizim i Vishit, avokati Avni Ibrahimi, për “Betimi për Drejtësi”, tha se kundër këtij aktgjykimi, do të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit të Republikës së Kosovës, pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzonte tani të pandehurin Imri Vishi, se në cilësi të personit zyrtar, kirurg në Repartin e Kirurgjisë, në Spitalin Rajonal të Ferizajt në vazhdim ka pranuar dhuratë në para nga pacientët e tij.

I njëjti, sipas aktit akuzues, pas kryerjes së operacioneve në repartin në fjalë, ku është i punësuar si kirurg dhe paguhet nga Ministria e Shëndetësisë, ka pranuar dhuratë 200 euro nga të dëmtuarit Minushe Mani dhe Hetem Ahmeti, 100 euro nga Muharrem Bruti dhe 50 euro nga Ajshe Hajdari. Në të njejtin vend dhe po në të njejtën cilësi i pandehuri kishte pranuar dhuratë 20 euro nga i dëmtuari Elez Ahmeti, për shkak të një kontrolle të rregullt pas operacionit që kishte kryer në vitin 2007.

Vishi, po ashtu akuzohej se nga data e pa vërtetuar deri më 25 mars 2017, në shtëpinë e tij në Ferizaj, ka mbajtur në posedim pa leje përkatëse dy pistoleta, me nga një karikator dhe katër fishekë të kalibrit 6.35 mm si dhe një granat dore e modelit F1, me çka akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Mirëpo, për këtë vepër, i njëjti kishte pranuar fajësinë, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 16 maj të këtij viti.