Denoncon avokati Koci: Njerëz të pushtetshëm pa rend po testohen për COVID-19

28.03.2020 15:49:18

Avokati Arianit Koci ka denoncuar personat me ndikim në shoqërinë kosovare, të cilët, sipas tij, po kryejnë teste për coronavirus pa simptoma dhe pa rend në Institutin Kombëtar për Shëndetësi Publike të Kosovës.

Koci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se njerëz të pushtetshëm po bëjnë presion që të testohen jashtë protokollit të caktuar.

“Dëgjova (nuk e kam të konfirmuar) që në Institutin Kombëtar për Shëndetësi Publike – aty ku bëhen testet për koronavirus – covid 19, personat me ndikim në shoqëri, kanë filluar të shkojnë dhe të kërkojnë të testohen, edhe pa simptoma.Pra, jashtë protokolit të përcaktuar, po bëjnë presion që të testohen. Natyrisht, kjo situatë i streson mjekët. Me fillu secili prej nesh me shku në Institut me kërku me u testu, aty bëhet kaos”, ka shkruar Koci.

Ai ka thënë se nëse kjo praktikë nuk ndalen atëherë do të shpenzohen testet për ata që kanë nevojë.

Postimi i plotë i Kocit:

“Dëgjova (nuk e kam të konfirmuar) që në Institutin Kombëtar për Shëndetësi Publike – aty ku bëhen testet për koronavirus – covid 19, personat me ndikim në shoqëri, kanë filluar të shkojnë dhe të kërkojnë të testohen, edhe pa simptoma.

Pra, jashtë protokolit të përcaktuar, po bëjnë presion/lutje që të testohen.

Natyrisht, kjo situatë i streson mjekët.

Me fillu secili prej nesh me shku në Institut me kërku me u testu – aty bëhet kaos.

Për më tepër, shpenzohen testet për ata që kanë vërtetë nevojë.

Plus, çdo dalje prej shtëpisë e rritë rrezikun për përhapje të infeksionit.

Sasia e kompleteve testuese është e limituar, prandaj janë kushtet dhe simptomat që duhet të plotësohen në mënyrë kumulative, që një person të kualifikohet për testim.

Sidoqoftë, lehtë mund të konfirmohet se kush po testohet – për shkak se çdo person regjistrohet.

Rri n’shpi”, ka shkruar Koci.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se tashmë kanë arritur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, 7 mijë teste të porositura për COVID-19.

Vitia ka thënë se tashmë kanë inicuar kërkesën për porosi edhe të 10 mijë testeve të reja, ndërsa pranuan edhe një pjesë të materialeve mjekësore mbrojtëse nga OBSH-ja.