Deponitë e egra ngulfasin Çairin

10.11.2016 22:16:54

Qytetarët e Çairit që banojnë në rrugën “Tophanë” ankohen nga mbeturinat e shumta duke thënë se komuna nuk ju sjell kontejnerë të mjaftueshëm dhe nuk bënë pastrimin e rregullt të rrugëve në këtë pjesë, prandaj mbeturinat mblidhen dhe krijojnë deponi të shumta.

Sipas tyre, kjo deponi mund të shkaktojë rrezik për marrjen e ndonjë epidemie. Deponi shihen edhe në afërsi të institucioneve, gjegjësisht afër një kopshti fëmijësh dhe qytetarët e konsiderojnë si shumë të rrezikshme për këto fëmijë.

Tv Shenja njofton se banorët e këtij vendbanimi e ndjejnë veten shumë të lënë pas dore përshkak se nuk trajtohen siç duhet nga komuna dhe nga përfaqësuesit e atyre të cilëve deri tani u kanë dhënë votën.

Qytetarët kërkojnë nga institucionet kompetente që të bëhet pastrimi i rrugëve dhe të sjellin më shumë kontejnerë edhe atë për një periudhë sa më të shkurtër kohore, sepse kjo gjendje e tanishme është shumë e rrezikshme për banorët e kësaj ane.