Depozitat në Shqipëri, të ardhurat kryesisht nga jashtë

26.12.2016 14:28:27

Banka e Shqipërisë pret një ecuri më të mirë të kredisë gjatë viteve të ardhshme, mbështetur kjo nga politika monetare lehtesuese e Bankës Qendrore dhe reduktimi i kredisë me probleme.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë vlerëson se përmirësimi i ambientit kreditues, edhe në përgjigje të planit të përbashkët të masave për reduktimin e kredive me probleme, do të mundësojë një reduktim të mëtejshëm të primeve të rrezikut dhe do t’i hapë rrugën një ecurie më të mirë të kreditimit dhe të vetë aktivitetit ekonomik në vend.

Rikuperimi i kredisë ka vijuar edhe në muajin tetor. Duke përjashtuar efektin e nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilanceve të bankave, portofoli total i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 2.9% në muajin tetor.

Kjo rritje ka reflektuar tërësisht ecurinë dinamike të kredisë në lekë, portofoli i së cilës regjistroi një normë vjetore rritjeje prej 9.2% në muajin tetor, ndërkohë që aktiviteti kreditues në valutë mbetet i zbehtë.

Gjithashtu depozitat bankare regjistruan një rritje rekord gjatë muajit gusht 2016, me mbi 15 miliardë lekë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sezoni veror edhe këtë vit rezultoi si një periudhë mjaft pozitive për zgjerimin e depozitave bankare. Kjo është një tendencë e zakonshme sezonale për këtë periudhë, e lidhur me të ardhurat nga emigrantët dhe nga turizmi.

Gjatë muajve korrik dhe gusht, në sistemin bankar u shtuan 19 miliardë lekë depozita. Kjo e çoi rritjen vjetore të gjendjes së depozitave në afro 1.6% në fund të gushtit. Rritja ka ardhur e gjitha në valutë të huaj, çka dëshmon se burimi janë kryesisht të ardhurat nga jashtë. Totali i depozitave në valutë, i konvertuar nga statistikat e bankës qendrore, arriti në vlerën e 517 miliardë lekëve, rreth 22 miliardë lekë më shumë krahasuar me fundin e korrikut.