Deputetët e LDK-së në takim me Delawie dhe Apostolova, biseduan për Demarkacionin

21.02.2018 12:29:36

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës të prirë nga Kryetari i GP LDK, Avdullah Hoti,  takuan në takime të ndara  Greg Delawie, ambasadorin e SHBA-ve,  dhe shefen e Zyrës së BE-së  Natalia Apostolova.

LDK, në një komunikatë për media ka bërë të ditur se, në takime u bisedua për situatën e përgjithshme në vend me theks të veçantë në procesin e Ratifikimit të Marrëveshjes për Kufirin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

“Si ambasadori Dellawie ashtu edhe Apostolova,  vlerësuan lart kontributin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë proces dhe konsistencën  për integrimet euroatlantike. Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Hoti, e ritheksoj edhe një herë  qëndrimin e LDK –së sa i përket procesit të ratifikimit të kësaj marrëveshje dhe  konfirmoj votën unanime pro të Grupit Parlamentar”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu Hoti e cilësoi  të çmueshme mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  dhe shteteve të BE- së gjatë këtij procesi dhe i falënderoi ata për mbështetjen që po i japin vendit.

Në takimet me ambasadorin Delawie dhe Apostolova morën pjesë deputetët Vjosa Osmani, Armend Zemaj, Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj, Anton Quni, Ismet Beqiri dhe Mimoza Kusari – Lila.