Deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala: Nesër zgjidhet kryeparlamentari,ndersa qeveria në...

Deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala: Nesër zgjidhet kryeparlamentari,ndersa qeveria në javën tjetër

23.08.2017 10:32:00

Qeveria e ardhshme Kosovës do të dalë në votim javën e ardhshme, ka thënë deputeti i nismës për Kosovën, Haxhi Shala.

Ky i fundit në një prononcim ka bërë me dije se tanimë janë siguruar numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë.

Megjithatë, ka thënë se partnerëve të koalicionit i duhet edhe pak kohë, por jo më larg se javën e ardhshme.

“Sa i përket formimit të qeverisë, besoj se duhet edhe pak kohë. Besoj se javën qe vjen do të formohet Qeveria. Të hënën ose të martën. Ose më saktësisht Kosova do të bëhet me qeveri javën e ardhshme”, ka thënë Shala.

Zyrtari i lartë i Nismës është shprehur i sigurt se në seancën e nesërme do të bëhet konstituimi i Kuvendit.

“Në seancën e nesërme do të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pra do të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët e Kuvendit.”, ka shtuar ai.

Duke folur për pozicionin e Nismës në qeverinë e ardhshme, Shala ka thënë se partia të cilit ai i takon do të ketë rol të rëndësishëm në qeveri ku do të zbatohet platforma e tyre e prezantuar para qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit.

Nesër, është paraparë të mbahet vazhdimi i seancës. Koalicioni PAN pret mbështetjen e deputetëve të AKR-së, për të formuar institucionet e Kosovës