Deputeti shqiptar i Brukselit Gjanaj përshëndet takimin Shqipëri-Kosovë

27.09.2017 15:14:15

Deputeti shqiptar i Brukselit Amet Gjanaj nëpërmjet një postimi në Facebook përshëndeti sot takimin e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Sipas Gjanajt ky është një hap i rëndësishëm për zhdukjen e barrierave ndërmjet 2 pjesëve të një popullit të njëjtë.

“Përshëndes takimin e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës si një takim sa i rëndësishëm aq edhe i nevojshëm. Sigurisht se çdo hap sado i vogël në zhdukjen e barrierave ndërmjet 2 pjesëve të një popullit të njëjtë është i mirëpritur por shumë shpejt ama niveli i përfaqësimit duhet të evoluojë në shkallën e duhur, në atë të kombit, të paktën në raport me diasporën shqiptare, arsimin dhe kulturën.

Nuk do ishte e tepërt për këtë popull kaq të vuajtur që ka të gjitha arsyet që të bashkohet në një shtet të vetëm, ashtu siç e bëri populli Gjerman, por që pranon të mos bashkohet menjëherë, të ngushëllohet me emërimin e 3 ministrive të përbashkëta Kosovë-Shqipëri dhe që ky akt të mos shqetësojë një opinion ndërkombëtar i cili ka gisht në ndarjen e tij!

Hapat duhet që t’i bëjmë pa patur frikë nga çfarë do të thonë të tjerët. Ata duhet që të kuptojnë se lidhja jonë është e pa kushtëzueshme. Nëse duam që të bëhemi popull evropian i vërtetë duhet që të ndjekim rrugën e një popullit evropian si ai i Gjermanisë përndryshe rrezikojmë të ngelim një popull i pa realizuar me identitet të coptueshëm!”, shkruan Gjanaj.