Deputetja e AAK-së tregon për ndalesën që i është bërë nga Policia e Malit të Zi (Foto)

10.08.2016 15:33:40

Organizimi i një proteste, ku morën pjesë rreth 300 persona të fshatit Llukë dhe dy deputetet të Kuvendit  të Kosovës, ka rezultuar me bllokim nga ana e Policisë së Malit të Zi. Autoritet e këtij vendi kanë ndaluar ata në afërsi të Zhlepit, pasi, sipas tyre, protestuesit kanë cenuar integritetin territorial të vendit të tyre.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj në një prononcim për “Indeksonline” tregon se organizimi i kësaj proteste ishte nga fshatarët e Llukës, të cilët ishin të interesuar t’i vizitojnë bjeshkët të cilat gjenden afër Zhlepit. Mirëpo, Kadriaj  thotë se vizita e tyre është bllokuar nga Njësitë Speciale të Policisë së Malit të Zi.

“Në mënyrë të organizuar kemi dashur t’i vizitojmë bjeshkët e tyre si dhe varrezat që gjenden aty. Pas një kilometër që e kemi kaluar Doganën e Kosovës, zonë ku konsiderohet se është territor i Kosovës, pesë kilometra kishte hyrë policia maleze të cilët na ndaluan të vazhdojmë më tej. Qytetarët janë revoltuar dhe kanë qëndruar ashtu pasi nuk i kanë lejuar të lëvizin lirshëm”, thotë ajo

Më tej, deputetja e partisë së Haradinajt thotë se autoritet e Malit të Zi nuk ka pasur të drejtë t’i ndalojnë ata. “Forca të mëdha të Njësisë Speciale kanë kërkuar që të zhbllokohet rruga pasi janë shkaktuar kolonoa të gjata. Qytetarët ishin tejet të indinjuar”, tregon ajo.

Megjithatë, Kadriaj tregoi se banorët e kësaj ane kanë parlajmaruar përsëri protesta në këto pjesë.

Ndryshe, edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se autoritetet malazeze kanë ndaluar dy deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe disa qytetarë të cilët kishin kaluar kufirin me Malin e Zi.

“Një grup qytetarësh duke përfshire edhe dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, me një autobus dhe automjete private pasi kanë kaluar kufirin e Republikës së Kosovës, janë ndaluar nga autoritetet e Malit të Zi. Nuk është shënuar ndonjë incident, përderisa pas një ndalese aty të njëjtit janë kthyer në territorin e Kosovës”, ka thënë Hoxha.