Derbi i Anglisë përfundon pa gola, Liverpool “qan” rastet e humbura

14.10.2017 19:30:12

Manchester United ruan të paprekur portën për të katërtën ndeshje rresht, ndërsa Liverpool zhvillon një ndeshje force në “Anfield Road” ku nuk shkon më shumë se barazimi pa gola. Klopp dhe Mourinho shtrëngojnë duart pas një 90 minutëshi plot intensitet në Derbin e Anglisë ku vendasit morën timonin e ndeshjes që në fillim duke diktuar ritmin, por të pasaktë në finalizim. Minutat e para ishin të qëta ku të dyja skuadrat studiuan terrenin dhe sinjalin e parë e dha Mati me një goditje të lehtë në të 35-ën, ndërsa Matic mund ta kishte kapur në befasi Mignolet.

Pak sekonda nga fundi i kësaj pjese ishte radha e Lukakut që u ndal nga Mignolet i cili shpëtoi për mrekulli portën e “The Reds”. Në pjesën e dytë, Liverpooli u bë edhe më kërkues duke e mbyllur skuadrën e Mourinhos në gjysmëfushën e saj por as Coutinho dhe as Salah e Firminho nuk arritën të çanin mes radhëve të ngjeshura të mbrojtjes së skuadrës së Mourinhos. Me kalimin e minutave, Liverpooli e humbi shpejtësinë por jo bindjen se këtë ndeshje mund ta zhbllokonte sepse dy rastet më të pastra i pati në këmbët e tij Emre Can që në mënyrë të pabesueshme nuk arriti ta ndalte topin në rrjetë, ndërsa De Gea kreu disa ndërhyrje vendimtare duke zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të muajve të fundit.

Në këtë mënyrë, Manchester United kthehet në shtëpi me një barazim të artë pasi skuadra e “Djajve të Kuq” ishte një kopje e shëmtuar e ekipit që kemi parë në javët e para të Premier League, ndërsa LIverpool qan rastet e humbura por edhe mungesën e Sadio Mane, një lojtar që mund t’i kishte dhënë më shumë cinizëm dhe fantazi fazës së sulmit. Kjo është ndeshja e 10 rresht për Manchester United pa humbje, ndërsa Liverpool shkëputet edhe më shumë nga kreu i klasifikimit dhe do të jetë shumë e vështirë qëgjatë javëve të ardhshme skuadra e Klopp të synojë titullin kampion.