Deri në fundjavë mot i ngrohtë, javën e ardhshme rikthehet dimri

19.03.2020 20:17:03

Deri në fundjavë vendi ynë mbetet nën dominimin e fushave të presionit të lartë, ndërsa nga Mesdheu depërtojnë masa të ngrohta ajrore që do të favorizojnë mot të ngrohtë dhe me diell, bën të ditur Prishtina Weather.

“Nga dita e diel dhe në fillim të javës së ardhshme, një ciklon polar nga verilindja e kontinentit do të shtrihet gradualisht mbi rajon. Nën këto kushte temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme në të dy vlerat ekstreme që do të zbresin edhe në vlera negative. Parashihen mundësi edhe për reshje bore. Kështu që java e parë e pranverës astronomike do të karakterizohet me mot dimëror dhe temperatura të ulëta”, paralajmëron PW.

Sipas shërbimit të meteorologjisë, cilësia e ajrit do të luhatet përreth vlerave mesatare, ndërsa orëve të mbrëmjes do të kalojë në vlera të pashëndetshme.

Parashikimi për periudhën 20-23 mars:

20.03 – Kthjellët dhe me diell, gjatë ditës më ngrohtë.

21.03 – Ngrohtë dhe kryesisht me diell. Pasdite vonë dhe në mbrëmje vranësirat do të shtohen.

22.03-23.03 – Ditën e diel kryesisht vranët, me erë dhe më ftohtë. Pasdite dhe në mbrëmje priten reshje lokale shiu, që më vonë do të përzien edhe me borë. Ditën e hënë ftohtë, kryesisht vranët. Kohë pas kohe me mundësi për reshje të dobëta shiu dhe bore.

Temperaturat deri në fundjavë do të shënojnë rritje. Minimalet do të luhaten nga -1C deri në 4C, e maksimalet nga 15C deri në 20C. Nga dita e hënë maksimalet do të pësojnë rënie të thellë edhe deri në 4C.

Era do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare drejtimesh të ndryshme 1-6m/s.

Shtypja atmosferike gradualisht do të zbres përreth vlerave normale.