Dëshmitarët rrëfejnë momentin e gjetjes së trupit të pajetë të hoxhës në Pejë

12.04.2019 19:55:39
Një imam ka vdekur në afërsi të Xhamisë në fshatin Novosellë të Pejës. Dyshimet e para janë për shkak të energjisë elektrike, megjithatë Policia po e heton rastin.

Mbrëmjen e 11 prillit, imami Ramë Blakaj u gjet i vdekur në shtëpinë ku po qëndronte afër xhamisë ku ai kryente detyrën e tij fetare.

Besohet që shkak i vdekjes se papritur  të kishte qenë rryma. Kështu mendon edhe Nimon Murtezaj, personi që e gjeti së pari trupin e të ndjerit.

“Mbrëmë nga ora 21:30 deshëm ta marrim hoxhën e të pimë kafe. Shkuam me një shok te shtëpi e tij. Thirrëm te dera, nuk u lajmërua, trokitëm në dritare prapë nuk u lajmërua. Hapëm derën e hyrjes dhe u futëm në korridor. Aty dëgjohej që rridhte uji në banjo. Hapëm derën e banjo-s dhe pamë hoxhën e shtrirë me dush në dorë…Sipas të gjitha gjasave shkaktarë i vdekjes së tij ishte rryma”, tha për RTV Dukagjinin, Nimon Murtezaj.

Imami me prejardhje ishte nga fshati Vrellë e Istogut, ndërsa detyrën e tij e kishte ushtruar në xhaminë e fshatit Novosellë. Senad Danaj, si familjar i të ndjerit thotë se lajmin për vdekjen e tij e morën nga banorët.

“Fillimisht kojshia e kanë vërejtur që ai nuk ka bërë lëvizve. Më pas kur janë futur brenda e kanë parë që ai ka qenë i shtrirë”, tha Senad Danaj.

Rastin e konfirmoi edhe Prokuroria e qytetit në Pejë.

“Rreth orës 21:15 nga qytetarët jemi informuar për një vdekje në Novosellë të Pejës. Prokurori kujdestar me njësitet përcjellëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Rasti është cilësuar si hetim i vdekjes”, deklaroi Shkodran Nikçi.

Për familjen Blakaj nga fshati Vrellë e Istogut, kjo dhimbje është e dyta brenda dy muajve sepse imami Blakaj kishte humbur edhe vëllain e tij 40 vjeçar Argzon Blakaj, papritmas në Vjenë të Austrisë në muajin shkurt të këtij viti.